Anglia, barazimi që frenoi Poloninë

Anglia frenon Poloninë, edhe pse me barazim në Varshavë. 1-1 në fund të 90 minutave të luajtura në tokën polake, atje ku më tepër ka patur një përplasje force, hera-herës dhe me nervozizëm, se sa lojë spektakolare. Pas një pjese të parë të barabartë pa gola, Herri Kein do t’i kalonte “tri luanët” në avantazh në të 72’.
Dhe kur të gjithë po mendonin fitoren e gjashtë të Anglisë vjen barazimi i Polonisë pikërisht në të dytën minutë shtesë me Zymanskin. 16 pikë për anglezët e 11 pikë për Poloninë, që ka zbritur në vendin e tretë. Ndërkohë Hungaria ka patur një fitore jo të lehtë me Andorrën.
Edhe pse e ka zgjidhur ndeshjen për 18 minuta, kjo falë golave të Zalait në të 9’ me penallti dhe Botkës në të 18’, Andorra ka ngushtuar diferenën e golave në të 82’ me Loverën. Dhe deri në fund e ka vënë ndeshjen në pikëpyetje. Por në vërshëllimën e fundit, Hungaria i është gëzuar fitores, ndërsa qëndron në vendin e katërt më 10 pikë.