Anija me mbetje në Portin e Durrësit, Rama: Prokuroria në krye të detyrës, analiza për të përcaktuar sa të rrezikshme janë

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Anija me mbetjet e dyshuara si të rrezikshme, që u kthyen në Shqipëri nga Singapori, po qëndron rreth 1 km larg Portit të Durrësit.
Kryeministri Edi Rama i pyetur gjatë një interviste televizive sesi do të veprohet me kontejnerët e kthyer, u shpreh se mbetjet do të vendosen në një vend të sigurt, deri sa t’u bëhen analizat dhe të përcaktohet sa të rrezikshme janë.
“Mbetje të rrezikshme prodhohen kudo, kanë proceduar me protokolle”, theksoi ai.
“Është e gjitha në proces, prokuroria e Durrësit është në krye të detyrës, ato do merren të vendosen në një vend të sigurtë, të rrethuar, të monitoruar do të bëhen analizat do të shihen sa të rrezikshme janë”- u shpreh Rama.
Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar kontejnerët e dyshuar me mbetje toksike, të cilët u rikthyen në Portin e Durrësit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kontejnerët do të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore, dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit 24 orë përmes kamerave. /j.p/