E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Berisha e Meta, armiq të Reformës në Drejtësi për hallet e tyre personale

TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot për proceset gjyqësore të nisura ndaj drejtuesve të opozitës, ndërsa u shpreh se ata nuk gjykohen për opinione por për fakte konkrete që janë hetuar nga organi i akuzës.

I ftuar në një studio televizive, Rama e konsideroi historike faktin se kostumi dhe imuniteti politik nuk ka pikën e vlerës në momentin kur vjen dora e ligjit.

“Dora e ligjit nuk të vjen për opinionet e tua dhe qëllimet e tua politike por të vjen me disa fakte dhe këtu na dalin ca para e prona që nuk duhet të ishin në xhepin e tyre dhe duhet të japin shpjegime. Por këtu flitet sikur këto personazhe janë marrë peng kot dhe nuk ka asnjë bazë thjesht kot se flasin”, tha Rama.

Sipas tij, “ka një organ i cili mbi bazë faktesh të grumbulluara dhe një hetimi të thelluar ka ngritur një akuzë”.

“Ky është muhabet kafenesh sepse as njërin, as tjetrin nuk i kam marrë unë ti vë thesin në kokë e ti çoj në ndonjë bodrum. Ata janë në të drejtën e tyre të ngrenë prentedime se janë në hall shumë të madh me drejtësinë dhe këtë hall e kanë nuhatur që kur u bë Reforma në Drejtësi”, tha Rama.

Ndaj sipas tij, ata kanë qenë armiq të Reformës në Drejtësi, udhëheqës të fronit kundër Reformës në Drejtësi e sabotatorë në çdo hap kundër Reformës në Drejtësi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›