Anija me mbetje në port, Prokuroria e Durrësit: Sekuestroja në fazë ekzekutimi, vonesat nga kompleksiteti i çështjes

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Prokuroria e Durrësit njoftoi sot se anija me mbetje të dyshuara të rrezikshme e mbërritur në port disa ditë më parë do të qëndrojë në radë nën monitorimin e policisë derisa të përcaktohet vendi që plotëson kushtet e nevojshme për sigurinë fizike dhe mjedisore.
Në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit për këtë rast theksohet se vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes si dhe volumi i sendeve, llojit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike të tyre.
Prokuroria i është drejtuar disa institucioneve si Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontejnerë.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë parasysh interesin e madh publik në lidhje me procedimin penal dhe ekzekutimin e urdhrit të sekuestros të kontejnerëve, bën me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij.
Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike të tyre.
Deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit
Për shkak të interesit të lartë publik që mbart kjo çështje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të vijojë të mbajë të informuar opinionin publik në lidhje me hapat e mëtejshëm.
Anija turke “Molivia” që mban mbetje të dyshuara toksike në 102 konteinerë vazhdon të qëndrojë në ujërat e radës që prej mëngjesit të së hënës.
Autoriteti Portual përmes një deklarate njoftoi se po punohet për të siguruar një venddepozitim dhe një zgjidhje të qëndrueshme për mbetjet. /j.p/