Anila Basha rikonfirmohet për një mandat të dytë në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Anëtarët e Asamblesë së Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) i kanë besuar një mandat të dytë si anëtare e Komitetit Ekzekutiv, Anila Bashës duke rikonfirmuar vlerësimin për kontributin e saj në qeverisjen e futbollit shqiptar.
Pas votimit, Basha shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë, duke falënderuar në mënyrë të veçantë presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për mbështetjen dhe besimin e treguar gjatë katër viteve të para në këtë detyrë, si dhe për rikandidimin.
Gjatë mandatit të parë, ajo ka kontribuar veçanërisht në zhvillimin e futbollit të vajzave, duke fituar një eksperiencë katërvjeçare në këtë sektor. Po ashtu, angazhimi i saj në komisionin e UEFA-s ka shërbyer për thellimin e njohurive dhe përvojës në politikat dhe strategjitë e zhvillimit të futbollit në nivel europian.
Në vijim të mandatit të dytë, Basha theksoi se përpara janë sfida të reja, me fokus të veçantë te rritja dhe prosperiteti i futbollit të vajzave në vend, duke synuar forcimin e strukturave, rritjen e pjesëmarrjes dhe përmirësimin e standardeve konkurruese.