“Open Masters Games Abu Dhabi 2026” mbyllen me ceremoni madhështore, mbi 40 mijë atletë nga 150 vende pjesëmarrëse

ABU DHABI, 16 shkurt 2026 – “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” u mbyllën zyrtarisht me një ceremoni përmbyllëse madhështore, duke shënuar fundin e një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare sportive të organizuara ndonjëherë në rajon.
Të zhvilluara nën patronazhin e Lartësisë së Tij Sheikh Theyab bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Zëvendëskryetar i Gjykatës Presidenciale për Zhvillim dhe Çështjet e Heronjve të Rënë, Lojërat mirëpritën për 10 ditë me radhë atletë, zyrtarë, vullnetarë dhe spektatorë nga e gjithë bota, duke promovuar pjesëmarrjen e përjetshme në sport dhe frymën e unitetit.
Në mesazhin e tij, Sheikh Theyab theksoi se Lojërat mishërojnë vlerat kombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe, si uniteti, qëndrueshmëria dhe ambicia, si dhe besimin në fuqinë e sportit për të frymëzuar individët dhe për të fuqizuar komunitetet.
Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Lojërave Masters (IMGA), Sergii Bubka, e cilësoi edicionin e Abu Dhabit si “më të mirin në historinë e Open Masters Games”, duke vlerësuar nivelin e lartë të organizimit dhe pjesëmarrjen e gjerë ndërkombëtare. Ai nënvizoi se Lojërat dëshmuan se sporti nuk ka moshë dhe se qëndrimi aktiv është një zgjedhje për jetën.
Ceremonia e mbylljes përfshiu një film përmbledhës me momentet më të spikatura të garave në Abu Dhabi, Al Ain dhe Al Dhafra, si dhe dorëzimin simbolik të flamurit për edicionin e ardhshëm që do të zhvillohet në Liqenin e Comos në vitin 2027, duke garantuar vazhdimësinë e lëvizjes globale Masters.
Sipas organizatorëve, mbi 40 mijë atletë nga më shumë se 150 vende morën pjesë në garat e zhvilluara në 38 disiplina sportive, përfshirë gjashtë sporte tradicionale emiratase. Ngjarja tërhoqi gjithashtu mbi 65 mijë spektatorë dhe vizitorë, ndërsa mbi 10 mijë vullnetarë kontribuuan në më shumë se 20 impiante sportive. Gjatë aktivitetit u organizuan rreth 750 ceremoni medaljesh.
“Open Masters Games Abu Dhabi 2026” konsiderohen si Lojërat e para të këtij formati të zhvilluara në Lindjen e Mesme, duke forcuar më tej pozicionin e Abu Dhabit si një qendër globale për organizimin e eventeve të mëdha sportive ndërkombëtare, në përputhje me vizionin për promovimin e jetesës aktive dhe të shëndetshme në çdo fazë të jetës.
Open Masters Games Abu Dhabi 2026 Foto: Andrin Hoxha 1 nga 28/gj.m/