E Diel, 1 Nëntor 2026

Ansip-Topalli: Shqipëria, vendi i mrekullive

Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri i Estonisë diskutuan dje për rolin e diplomacisë parlamentare si një dimension funksional në dialogun dypalësh, me një ndikim pozitiv në bashkëpunimin ndërparlamentar dhe ndërkombëtar. Kryetarja e Kuvendit gjatë takimit me Kryeministrin estonez, Andrus Ansip, kërkoi bashkëpunim konkret nga Estonia edhe për projektet e e-parlament, si një vend me një përvojë të madhe në teknologjinë e informacionit. Në takim u bisedua edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe Kryeministri i Estonisë tha se shpreson që sa më shumë sipërmarrje estoneze të jenë të pranishme me investimet e tyre në Shqipëri. Është një mrekulli ajo që ka ndodhur në këto vite në Shqipëri, - tha Kryeministri Ansip. - Estonia sheh te Shqipëria një partner serioz në NATO. Duke punuar bashkë do të jemi edhe më të suksesshëm, - tha Kryeministri Ansip, duke theksuar: Jam i bindur se Shqipëria do të vijojë zhvillimin në mënyrë të shpejtë ashtu si është zhvilluar shumë shpejt në këto kohë. Për kryetaren e Kuvendit vizita e Kryeministrit Ansip është një hap domethënës në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbështetja e vazhdueshme që Estonia i ka dhënë Shqipërisë në proceset e saj integruese euroatlantike dhe evropiane është shumë e çmuar. Estonia, si një nga shtetet anëtare të BE-së, e cila ka vuajtur nga izolimi, është më pranë shqiptarëve lidhur me ëndrrën për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen, si dhe në drejtim të anëtarësimit në BE. Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria i ka përmbushur tashmë detyrimet dhe do të vlerësonte maksimalisht mbështetjen e Estonisë lidhur me heqjen e vizave dhe më tej, në drejtim të marrjes së statusit kandidat. Nga ana e tij, Kryeministri i Estonisë tha se partneriteti mes dy vendeve ka qenë shumë i frytshëm. Ne e kuptojmë njëri-tjetrin dhe dy vendet tona më shumë se partnerë janë miq të mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›