E Diel, 1 Nëntor 2026

Antidroga: 8 mijë përdorues heroine dhe kokaine, 1 gram 100 mijë lekë

Afro 8 mijë shqiptarë janë të varur totalisht nga droga, ndërsa 40 mijë të tjerë cilësohen si përdorues të rastësishëm. Të dhënat janë raportuar dje nga Policia e Shtetit, e cila në përpjekjet për të luftuar narkotrafikun, gjatë këtij viti ka bllokuar më shumë se 19 tonë marijuanë, 60 kilogramë heroinë dhe 4 kilogramë kokainë, përgjatë më shumë se 700 rasteve të grupeve kriminale në tentativë, për ta shitur, prodhuar apo trafikuar.
Antidroga
“Ne jemi vend tranziti, domethënë sigurisht që ne kemi edhe tregun për konsumatorët vendas, por që është shumë i vogël në krahasim me drogat që kërkohen për konsum në vendet e Evropës Perëndimore, ku dihet që edhe çmimi i blerjes është më i lartë dhe përfitimet që mund të marrin grupet kriminale janë më të mëdha. Nga studimet e fundit që janë bërë, në Shqipëri është një grup rreth 6 mijë, deri në 8 mijë përdorues problematikë. Kryesisht këta janë përdoruesit e heroinës, sepse këta janë ata persona që intoksikohen më shumë. Kryeqyteti është më i përfshirë, por ka edhe qytete të vogla si Gramshi apo Cërriku”, tha dje në media, Sokol Selfollari shef i Antidrogës.
Çmimi i drogës
Sipas shefit të Antidrogës, në Policinë e Shtetit, për drogërat e forta kryesisht heroinë, vërehet një ulje e përdorimit të brendshëm edhe për shkak të ngritjes së çmimit të saj në tregun ndërkombëtar. Policia raporton se çmimi i një grami kokaine varion nga 60, deri në 100 mijë lekë të vjetra, ndërsa një gramë heroinë nga 30 deri ne 50 mijë lekë, kurse cigaret e hashashit kanë çmimin nga një mijë në dy mijë lekë të vjetra.
Marijuana
Aktualisht për policinë përdorimi i marijuanës është më tepër problematik. “Kemi pasur raste. Në shkolla të mesme kemi pasur disa raste, por kryesisht ka raste në shkollat e larta. Policia e rendit ka kryer shumë sekuestro pranë Universitetit në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës”, ka thënë dje në media S.Selfollari. Sipas statistikave për këto 10 muaj janë proceduar gati 1025 mijë persona si te implikuar në çështjet e prodhimit, shitjes apo trafikut të drogës, një shifër kjo tepër e lartë. Ndërkohë që zonat e kultivimit të hashashit janë në Gjirokastër, Vlorë, Fier, Tiranë, Krujë, Shkodër dhe më pak në Tropojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›