Antimafia, sekuestro 2. 6 mln euro të katër beratasve
Gjykata vendosi sekuestron për pasuritë e dy vëllezërve, kunatit dhe mikut të tyre, të dyshuar se kanë të ardhura të dyshimta
Personat po hetohen në Greqi, për shfyrtëzim femrash për qëllime prostitucioni, ndërsa në Shqipëri për pastrim parash
TIRANË- Gjykata për Krime të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës sekuestroi 2.6 milionë euro dhe rreth 4 mijë lekë të reja në llogari të dy vëllezërve beratas Aleksandër e Sokol Shehu, kunatit të tij Can Murataj dhe shokut të tyre Fatos Zeka.
Në zbatim të ligjit "Antimafia", Prokuroria e Krimeve të Rënda e përfaqësuar nga prokurori Adnan Xholi, i kërkoi gjykatës sekuestrimin e kësaj pasurie dhe kalimin e tyre nën llogari të Zyrës së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara në Ministrinë e Financave.
Trupi gjykues vendosi, pasi shqyrtoi në një seancë gjyqësore provat e prokurorit Xholi, për dy vëllezërit beratas që në Shqipëri po hetohen nga njësia e Task-Forcës në kryeqytet për akuzën e "pastrimit të parave". Në Greqi po këta persona, po hetohen që nga viti 2006, për akuzat e "krijimit të organizatës kriminale"; "Trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim ushtrimin e prostitucionit"dhe "Pastrimit të parave", të gjitha në bashkëpunim.
Sipas vendimit të sekuestrimit të siguruar nga "Shekulli", mësohet se dy vëllezërit Shehu nga aktiviteti i tyre kriminal përfitonin rreth 12 mijë euro në ditë, të cilat i ndanin me një grup mafioz nga lindja.
Vend nga i cili, dyshohet se kanë sjellë edhe një grup femrash që shfrytëzohen për prostitucion në qytete të ndryshme të Greqisë. "Nga hetimi pasuror, është konstatuar se të hetuarit Aleksandër dhe Sokol Shehu, familjarët e tyre dhe personat e lidhur me ta, konkretisht Can Murataj (kunati) dhe Fatos Zeka (lidhje shoqërore), disponojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Bazuar në ligjin "Antimafia" rezulton se të hetuarit dhe familjarët, personat e lidhur me ta, janë subjekte të këtij ligji, ndaj dhe pasuritë e tyre duhet t'i nënshtrohen procedurës së sekuestrimit. Një veprim i tillë kryhet, për shkak se familjarët dhe vetë të dyshuarit janë të lirë, çka përbën një rrezik real dhe potencial që pasuritë e tyre të tjetërsohen, apo të humbasin, thuhet në vendimin.
Sipas tij, janë sekuestruar tashmë 7 llogari bankare me një vlerë mbi 2.6 milionë euro dhe rreth 4 mijë lekë. Këto llogari bankare, sipas vendimit të gjykatës janë në emër të Aleksandër Shehut, vëllait të tij Sokol Shehu, kunatit të dy vëllezërve, Can Muratajt dhe shokut të tyre Fatos Zeka.
Të gjithë këta po hetohen nga drejtësia greke e shqiptare në gjendje të lirë. Mësohet se në emër të dy vëllezërve beratas Shehu dhe të afërmve të tyre rezultojnë edhe dy apartamente në Tiranë, një truall me sipërfaqe 4.100 metër katrorë në fshatin Muçaj të Vlorës, ku është ngritur një pikë karburanti. Po kështu ata kanë një lokal në Berat dhe një kompani me emrin "Shehu" sh.p.k, e cila e cila është në aktivitet tregtar.
Në këtë shoqëri ortak i vetëm dhe administrator është Aleksandër Shehu, dhe ajo ka si objekt tregtinë me pakicë dhe shumicë të karburanteve, bar-kafe, import dhe eksportë etj. Për kunatin e Shehut, Can Muratajn, akuza ka siguruar të dhënat se figuron i regjistruar si subjekt tatimor në Tiranë në fushën e "shërbimeve telefonike".
Për këto prona dhe shoqëri, ende nuk ka një vendim sekuestrimi apo bllokimi, pasi nuk është kompletuar dokumentacioni i nevojshëm që të vërtetojë dyshimet e ngritura, se ato janë ngritur me para të "pista". Pritet që në ditët në vazhdim, të dyshuarit të cilëve tashmë i janë bllokuar pasuritë t'i drejtohen Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar këtë vendim sekuestrimi.
SEKUESTRUAR:
Llogari bankare në lekë, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 2.900 lekë
Llogari bankare në lekë, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009, me 967 lekë
Llogari bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 507 mijë euro
Llogaria bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 519 mijë euro
Llogari bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009, me 550 mijë euro
Llogari në euro, në emër të Sokol Shehut dhe Fatos Zekës, verifikuar me 21 maj 2009 me 522 mijë euro
Llogari bankare në euro, në emër të Can Muratajt, e verifikuar me 21 maj 2009, me 500.000 euro.