Anuela Ristani: Shërbimi ndaj Tiranës, privilegji më i madh i jetës sime

Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, znj. Anuela Ristani, ka dhënë një deklaratë publike lidhur me përvojën e saj në drejtimin e qytetit në një periudhë që e cilëson si më të vështirën për institucionin vendor.
“Tirana është sfida dhe dashuria më e madhe e jetës sime profesionale,” u shpreh Ristani, duke theksuar se për më shumë se një dekadë ka pasur nderin të shërbejë për qytetin, me përkushtim të plotë dhe bindjen se Tirana meriton më të mirën.
Ajo theksoi se marrja e detyrës si Kryetare e Deleguar ka ndodhur në një kohë të pazakontë për Bashkinë e Tiranës, por që përgjegjësinë e saj e ka ndjerë si një detyrim moral dhe qytetar.
“Kam bërë gjithçka që kam mundur, me vendosmërinë për të mos çbërë asnjë milimetër nga progresi i arritur gjatë këtyre dhjetë viteve,” tha Ristani.
Ajo vlerësoi lart transformimin që ka përjetuar Tirana, të cilin e konsideroi si rezultat i vizionit dhe punës së përbashkët të një skuadre të përkushtuar. Në mënyrë të veçantë, Ristani falënderoi Kryetarin Erion Veliaj, duke u shprehur mirënjohëse për mundësinë për të qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
“Tirana sot është më moderne, më gjallëruese, me më shumë shërbime dhe investime në infrastrukturë, arsim, kulturë, sport dhe gjelbërim. Dhe ky është një proces që vijon,” u shpreh ajo.
Në deklaratën e saj, Ristani adresoi gjithashtu sfidat e muajve të fundit, duke falënderuar kolegët, qytetarët dhe Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen dhe përkujdesjen e vazhdueshme.
“Shërbimi ndaj Tiranës ka qenë privilegji më i madh i jetës sime. Deri në ditën e fundit do të mbetem në detyrë me të njëjtin përkushtim si në ditën e parë,” përfundoi Ristani