E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Anulim loje”!



Pa dyshim që askush, nuk besoj, ka kaluar fëmijërinë e tij apo të saj pa luajtur ngriva-shkriva. Kjo ka qenë një lojë shumë e këndshme për fëmijët lozonjarë të moshës 7 deri 10 vjeç, ku teksa shihje rrezikun e humbjes, këlthisje “Ngri” dhe pasi rreziku kishte kaluar, sërish me një zell të madh bërtisje përsëri “Shkrij” dhe vrapoje përqark një rrethi, që jo vetëm të lodhte fizikisht, por të merrte dhe mendtë e kokës.

Megjithatë, kurrë nuk e mbaronim dot lojën, jo sepse ishim të lodhur e të djersitur, por sepse gjithmonë dilte një nga ne që i inatosur nga humbja fillonte dhe qante duke bërtitur: “Anulim loje, se humba se nuk e kisha mendjen apo më shpëtoi, apo ndonjë arsye tjetër fëminore”. Kjo zemëronte gati të gjithë sepse prishte harmoninë e lojës për tekat e njërit që mund të ishte pak më i madh apo mund të kishte një top të bukur me shumë ngjyra. Them gati të gjithë, sepse nja katër a pesë servilë të lodrave të bukura apo të trembur nga dajaku i mundshëm i bindeshin thirrjes dhe linin lojën edhe ata. Por tek e fundit, kemi qenë fëmijë dhe siç thotë fjala popullore: “Aq na e ka prerë truri...”

Është fatkeqësi e madhe që megjithëse po bëhen gati dy dekada që nuk e kam luajtur më atë lojë, se nuk më ka më hije, e shoh të luhet nga elita politike shqiptare përfaqësuese e krahut të majtë. Ashtu si edhe ne dikur, edhe në partinë më të madhe opozitare, pra në Partinë Socialiste, një rreth vicioz është krijuar nga kryetari i saj në detyrë dhe miqtë e tij të trembur apo të interesuar në “lejet” që ai ka në dore të japë për të “luajtur me lodrat” e tij... Ashtu si edhe te “ngriva-shkriva”, pjesa më e madhe e anëtarëve të këtij rrethi vicioz të krijuar tashmë brenda kopshtit pa drekë të PS-së, habiten ashtu si edhe unë qytetari i thjeshtë, kur kryetari në detyrë, iniciator i konceptit ekstremist të dështuar të – përtej së majtës dhe së djathtës – anulon “lojën” dhe përdor forcën dhe vasalët e tij të trembur apo interesaxhinj për të ndryshuar rregullat në mënyrë që të fitojë vetëm ai.

Duke qenë se Partia Socialiste është në njëfarë mënyre pasuri kombëtare, e cila ka një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në tragjikomedinë parlamentare, por së pari në sigurimin e good governance edhe në Shqipërinë tonë të lodhur nga eksperimentet, shqetësohem kur vë re se në historinë prej një dekade e kësaj force, kur pushteti ka arritur majat, kryetarët respektivë kanë lajthitur dhe duke harruar që nuk mund të jenë të përhershëm dhe duke ndryshuar rregullat sipas qejfit apo edhe duke përjashtuar apo kërcënuar më përjashtim nga “loja” anëtarë të denjë të këtij komuniteti socialit. Ashtu si edhe ish-kryetari Nano, që në 2005 përjashtoi nga radhët e PS-së ish-Kryeministrin Ilir Meta, edhe Rama në mbledhjen e fundit të kryesisë të Partisë Socialiste ka kërcënuar një nga kritikët e tij më të fortë, Ben Blushin, me përjashtim nga radhët e partisë. Dhe kjo vetëm e vetëm se zoti Blushi dhe një grup personalitetesh brenda PS-së kërkojnë që loja të shkojë deri në fund me rregullat fillestare. E pra, edhe Rama që nuk hap sinjal as majtas dhe as djathtas, po bën ekzaktësisht atë për të cilën qortonte dhe shante ish-kryetarin Nano këtu e një legjislaturë më parë.

E përse? Sepse ka humbur zgjedhjet apo “lojën”. Dhe kjo, sipas një neni të statutit apo “rregullores”, për ironi të fatit të sugjeruar nga vetë ai, e detyron atë që megjithëse i gjatë, i madh dhe i fortë duhet të largohet nga loja politike dhe t’u hapë rrugë të tjerëve, si humbës. E megjithatë, me një fjalor që tremb edhe engjëjt optimistë, ai vjell vrer për Shqipërinë, duke e krahasuar atë, ndoshta jo drejtpërdrejt, me Afganistanin apo vendet afrikane ku sundojnë rebelët dhe duke harruar se jetojmë në një vend anëtar në NATO dhe kandidat për në Bashkimin Evropian, që me gjithë minuset dhe kritikat përsëri është një alternative shprese tashmë në shekullin e 21-të.

Çirret dhe ofendon gazetarët duke u përgjigjur me përbuzje e duke thënë se nuk i ka humbur zgjedhjet, sepse shqiptarët dhe shqiptaret votuan në numerikisht më shumë majtas. Këtu ky zotëri, harron disa momente që janë fiksuar jo vetëm në memorien afatshkurtër por edhe në “celuloid”. Harron se ishte ai që bëri Kodin Zgjedhor, pasi dha miratimin për ndryshimet kushtetuese. Ishte ai që dha pëlqimin për administratën zgjedhore. Ishte ai që kishte 2 përfaqësues në KQZ + 1 aleat. D.m.th, është ai përgjegjësi për humbjen e këtyre zgjedhjeve, megjithëse numerikisht më tepër.

Megjithatë, ai përsëri insiston në tezën e tij se nuk ka humbur në 28 qershor dhe se kësaj farse, sipas tij, do t’i shkojë deri në fund. Atëherë, përse duhen organizuar zgjedhje për kryetar, kur nuk pranohet rezultati? Përse nuk vazhdon lufta për të gjetur të drejtën në organet përkatëse gjatë 2-vjeçarit të mbetur të mandatit? Besoj se përgjigja dihet tashmë nga analisti më i vjetër e më profesionist i politikës shqiptare dhe deri tek qytetari më i thjeshtë që është më tepër i interesuar në mirëqenien e jetës së tij sesa kush e drejton këtë vend. Ajo është shumë e thjeshtë. Pas tri mandatesh në krye të dikasterit që jep leje për ndërtime pallatesh në Tiranë, duke mos qenë as në Parlament, jeta politike e Edvin Ramës do të merrte fund në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe kjo e lënia në harresë politike e tmerron këtë të fundit, që ka dy muaj që bërtet: “Anulim loje”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›