E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksporti, kyçi i suksesit të ekonomisë gjermane



Si vend eksportues, Gjermania është prekur prej krizës ekonomike më tepër se shumica e vendeve të tjera në BE, por ndaj këtij modeli nuk duhet të ketë dyshime, sepse eksporti vazhdon të jetë receta e suksesit të ekonomisë.

Rreth gjysma e mallrave të prodhuara në Gjermani shkuan për eksport. Kjo gjë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ky është përfundimi i një studimi të Institutit për Ekonominë Gjermane në Këln. “Prej krizës nuk ka nevojë të bëhen ndryshime, sepse Gjermania është e përgatitur për një rritje të mëtejshme ekonomike. Kjo, për faktin se thuajse në të gjithë botën ka edhe më tej nevoja të mëdha për investime”, - thekson drejtori i këtij instituti Michael Hüther. "Thuajse në të gjithë botën kemi një situatë të tillë që kursimet janë më të larta se investimet. Më e qartë paraqitet kjo gjendje në Lindjen e Mesme, në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura si dhe në Azi".

Në dhjetëvjeçarët e ardhshëm popullsia e botës do të rritet më tej, sidomos në vendet e reja të industrializuara dhe në qytete. Po ashtu në vitin 2050 numri i të moshuarve do të jetë trefishuar. Sipas Hüther-it, Gjermania është e përgatitur mirë për këto megatendenca. "Të gjitha këto janë kërkesa ndaj infrastrukturës ekonomike, investimeve në sektorin e shkollimit, në bioteknikë dhe teknikën dhe pajisjet mjekësore. Të gjitha këto i përgjigjen si të thuash spektrit të prodhimeve të ekonomisë gjermane dhe janë fusha që mund të vazhdojnë të furnizohen me sukses edhe në vitet e ardhshme".

Sipas tij, ekonomia gjermane është e pajisur më mirë se vendet e tjera edhe përballë pakësimit të rezervave dhe ndryshimeve klimatike. Në Gjermani ka njohuri dhe përvojë të mirë në lidhje me energjitë e riciklueshme dhe me prodhuesit alternativë të energjisë.

Sipas raportit, edhe argumenti i pagave të larta në Gjermani në krahasim me vendet e tjera po të shihet më nga afër, nuk qëndron. Sipas Hüther-it, në vendet e industrializuara, pra dhe në Gjermani, rrogat janë rritur në mënyrë modeste. Kjo ka bërë që të mos pakësohet numri i vendeve të punës dhe të rritet edhe fuqia blerëse. “E rrezikshme do të ishte për Gjermaninë në rast se vendi bie në deflacion, si në rastin e Japonisë së viteve ‘90”, - thotë Michael Hüther. Në Japoni pati ulje të vazhdueshme të çmimeve, gjë që çoi në paralizimin e ekonomisë. Probleme sipas studimit mund të lindin edhe në rast se bankat nuk u japin më kredi firmave që po çlodhen nga recensioni apo nga tendencat e proteksionizmit që vihen re në disa vende. Për të dyja këto raste kërkohet që politika të marrë me kohë masat e nevojshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›