Anulohen negociatat bërthamore SHBA-Iran në Oman, tensionet rajonale ndikojnë tek diplomacia

Raundi i ardhshëm i negociatave bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, i cili ishte planifikuar të mbahej të dielën në Oman, është anuluar. Lajmin e bëri të ditur Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, përmes një postimi në platformën X, duke theksuar se “diplomacia dhe dialogu mbeten e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”.
Ky do të kishte qenë raundi i gjashtë i bisedimeve në këtë proces, ku Omani ka luajtur rolin e ndërmjetësit kyç. Megjithatë, përshkallëzimi i tensioneve në rajon, veçanërisht pas sulmeve të fundit të Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane, duket se ka ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e dialogut.
Më herët, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, kishte deklaruar se bisedime të tilla ishin “të pajustifikueshme” ndërsa sulmet e Izraelit vazhdonin, megjithëse ai nuk kishte konfirmuar në atë kohë anulimin e tyre.
Anulimi i këtyre bisedimeve sinjalizon një ngërç në përpjekjet diplomatike për të zgjidhur çështjen bërthamore të Iranit dhe për të zbutur tensionet e larta në Lindjen e Mesme.
/rtsh.al/