Anulohen tenderat e Tavos në QSUT, Kosova: Abuzim 2.4 mld Lekësh
Tiranë- Nga kontrollet e fundit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, është konstatuar një abuzim prej 2.4 miliardë lekësh nga tenderat e kryera në masën më të madhe për blerje medikamentesh.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetit Publik, organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
“Nga të dhënat e para ka abuzime. Jemi të vendosur ti shkojmë kësaj çështje deri në fund. Çdo abuzues do të përgjigjet në organet përkatëse konform ligjit, – tha Kosova për mediat, tekas premtoi ndryshim të situatës brenda kësaj jave. Pacientët, sipas tij, nuk mund dhe nuk duhet të vuajnë pasojat e tenderave për të pasur ilaçe.
“Që prej ditës së nesërme, do të fillojnë prokurimet, por natyrisht nuk do të përdoren më ato çmime barnash që ishin përcaktuar më parë, të cilat devijonin deri në 5 fish nga lista bazë e medikamenteve. Ka pasur devijime në fondet publike, të dhëna për shëndetësinë dhe keqmenaxhim të institucioneve, veçanërisht QSUT”, u shpreh Kosova.
Kosova u tregua kritik edhe me zbatimin e ligjit antiduhan dhe alkool, që, sipas tij, nuk ka mirëfunksionuar.