Pritet zyrtarizimi i kandidatëve të PD-së, Berisha: Listë e shkëlqyer fitoreje
Tiranë- Edhe Partia Demokratike ka mbyllur hartimin e listave për kandidatët për deputet në zgjdhjet e 23 qershorit pak pas orës 22:00.
Kryeministri Sali Berisha tha se procesi i hartimit të listave ishte procesi më i mirë, “i kandidaturave më të mira që zgjedhësit kanë patur ndonjëherë. Ka qenë një proces i hapur me konsultime të gjera, që finalizohet me një listë të shkëlqyer, listë fitoreje”,- tha Berisha.
Ndërsa ka hedhur poshtë edhe emrat që kanë qarkulluar në media në lidhje me kandidatët në listën e PD-së kur tha se gazetarët kanë gabuar në shumë e shumë emra “se fantazia juaj është e pakufishme”,- tha ai.
Në kampin blu sakaq ka pak rrjedhje informacioni se kush do të jetë pjesë e listës për deputetë. Lista në orën 21:00 iu paraqit për miratim kryesisë.
Mësohet se Sali Berisha do të jetë në krye të Tiranës, Jozefina Topalli në Shkodër, Ridvan Bode ne Korçe, Sokol Olldashi në Fier, Astrit Patozi në Vlorë, Arben Imami në Elbasan, Flamur Noka në Kukës.
Sakaq mbetet i paqartë statusi i Princ Lekës, nëse ai do te jetë apo jo kandidat për deputet në listën e selisë blu.