Apartamenti 2XL, kërkohet një mysafir

Pas vizitës së Berishës në episodën e fundit, të cilin e kishin pritur dy vjet, Turi Hyska tregon të gjithë rrugëtimin e këtij sezoni të gjatë dhe zbulon të rejat e sezonit që do të vijë, por jo mysafirin e ri që do të presin me këngë.
I kanë kënduar dy vjet rresht, çdo të diel, me të gjitha meloditë dhe notat dhe më në fund ai, Kryeministri i Shqiperise, Sali Berisha vendosi ta pranonte ftesën për të qenë mysafiri i apartamentit të humorit në puntatën e fundit të shfaqjes. Producenti i shfaqjes “Apartamenti 2XL”, Turjan Hyska zbulon per ''Mapo'' se ky ka qenë sezon i vështirë dhe më i gjati, kjo për shkak të zgjedhjeve dhe sigurisht ardhjes së shumëpritur të Berishës, i cili e kishte shtyrë prej dhjetorit prezencën e tij në shfaqje.
“U bënë 2 vjet që i këndonim Berishës. Negociatat ishin të vazhdueshme. Fillimisht me stafin e tij u takova shtatorin e kaluar dhe ramë dakord që ai të vinte në dhjetor. Por u shty dhe në fakt edhe pse ishte vendosur që do të vinte në shfaqjen e fundit të sezonit, tri ditë përpara kishim ende dyshime sepse i kishte ikur zëri gjatë fushatës dhe diskutohej nëse do të mund të fliste. Megjithatë, rezultati në fund ishte i mirë”, tregon Turi, duke shtuar me shaka se tani nuk e dinë kujt t’i këndojnë më, pasi i kanë pasur thuajse të gjithë liderët e partive kryesore në vend.
I pari ishte Fatos Nano, i cili e pranoi ftesën nga Vjena, më pas Edi Rama që la edhe një kujtim të pikturuar në muret e apartamentit, më pas ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu e së fundmi kryeministri Sali Berisha. “Kjo tregon lidhjen e pashmangshme që ka publiku me politikën, sepse sa i përket shfaqjes, Apartamenti do të jetë gjithmonë apolitik”. Edhe pse ndoshta e kanë përdorur si një mjet apo kanal alternativ komunikimi dhe në kohë të rëndësishme zgjedhjesh. Nano erdhi kur zgjidhej Presidenti i Republikës, Rama gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës dhe Berisha tani, ndërsa kërkon mandatin e tretë të qeverisjes.
Sezoni i gjatë, përpos lodhjet, i ka korrur edhe sukseset e veta, duke shënuar audiencë maksimale dhe një publik që preferon ta shohë çdo javë në skenë shfaqjen. “Trupa ishte në formë të shkëlqyer këtë sezon. Dhe publiku e ka ndjerë këtë”.
Nëse banorët e Apartamentit janë nisur me pushime pas një sezoni të gjatë pune, duket se producenti do të ketë një verë të ngarkuar. Kjo jo vetëm për shkak të përgatitjeve për sezonin e ri, por edhe angazhimeve që Turi ka si drejtor artistik i ‘Tring’. Pas kësaj vjen edhe një projekt i madh televiziv, që nga mënyra sesi e thotë, duket me përmasat më të mëdha të të gjitha produksioneve të tij televizive, por preferon ta mbajë të pazbuluar deri në shtator.
Megjithë trupën e dashur të aktorëve që do të jenë aty për të dhuruar batuta e humor çdo të diel, Turi thotë se do të kenë edhe momentin e këngës. Se kujt do i këndojnë, mbetet për t’u zbuluar sezonin e ardhshëm. /Indeksonline/