E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apartamenti i Frank Sinatrës shitet për 7.7 milionë dollarë

Apartamenti nën çati i legjendarit Frank Sinatra në New York, të cilin këngëtari e bleu në vitin 1957 pas shkurorëzimit të tij nga Ava Gardner, shitet për 7.7 milionë dollarë.

Gjatë viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, shtëpia e Sinatrës ishte një vend i ndejave të egra, ku merrnin pjesë politikanë të shumtë, aktorë, këngëtarë dhe artistë të tjerë.

Ndejat që kanë qenë të njohura anembanë Hollywood-it, u vizituan nga piktori amerikan, Andy Warhol, presidenti i SHBA-së, John F. Kennedy dhe aktorja ikonë e botës së filmit, Marilyn Monroe.

“Apartamenti paksa u modernizua, por është ende ideale për një njeri që ka një personalitet si Franku dhe që i pëlqen të përgatit ndeja të mëdha për shoqërinë e madhe” tha Jason Haber, ndërmjetës i agjencisë së patundshmërive “Rubicon Property”, e cila është përgjegjëse për shitjen e apartamentit nën çati.

Vlen të theksohet se këngëtari i ndjerë, i cili kaloi disa vite të martesës së tij të stuhishme me Mia Farrow, ka tentuar personalisht ta shesë këtë vilë por nuk ka pasur sukses.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›