Apeli i GJKKO lë në burg Metën, detyrim paraqitje për Kryemadhin; Deputetja: Prokurorët e SPAK të papërgatitur

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në masën “arrest me burg” presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën. Po ashtu në fuqi është lënë edhe masa “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim I.M. dhe J.K”, thuhet në vendimin e Apelit të Posaçëm.
Pas daljes nga gjykata që zgjati disa orë, deputetja Monika Kryemadhi deklaroi se argumentimet e prokurorëve të SPAK janë të bazuara në falsifikime.
“Prokurorët ishin të papërgatitur ndaj fakteve dhe dokumenteve që erdhën nga Çekia dhe Austria. Metodologjia dhe profesionalizmi i prokurorëve të SPAK ishin në nivelin e një studenti të vitit të parë të juridikut. Argumentet që ngrinin ishin qesharake dhe të bazuara në falsifikim.
Kalkulimet dhe analiza financiare e pabërë nga SPAK donte të falsifikonte me keqdashje deklarimet e pasurive tonë. Rezulton se edhe sa i përket letër porosive të dërguara nga SHBA, ka një deklaratë të rremë për të cilin ligjin federal i SHBA i dënon me 5 vjet. Prokurorët ishin të papërgatitur”- tha Kryemadhi.
Ndërsa avokati Genc Gjokutaj tha për gazetarët se tashmë do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe po të jetë nevoja edhe në gjykatat ndërkombëtare.
“Një lider i opozitës që futet në burg sigurisht që do të trajtoj edhe elementët politikë. Do i drejtohemi Gjykatës së Lartë. Kjo është rruga që ne duhet të ndjekim që të shkojmë edhe nëse do të jetë nevoja edhe në gjykatat ndërkombëtare. Kemi marrë një përgjigje nga policia dhe policia na tregon ligjin”- u shpreh Gjokutaj.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Prokurorët e Posaçëm argumentojnë se hetimet treguan se ata kishin përdorur pushtetin për favorizime të njerëzve të tyre dhe kishin marrë prej tyre vlera monetare.
/a.f/