Seanca për buxhetin, opozita protestë mbi dy orë para Kuvendit

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Në një kohë kur në Kuvend pritej që të miratohej në parim projektligji për buxhetin e vitit 2025, opozita në ambientet e jashtme të parlamentit ka zhvilluar një protestë.
Luçiano Boçi, ish-deputet i PD-së, aktualisht drejtues politik i qarkut të Shkodrës, tha se protesta është një tubim ku janë thirrur pensionistët që të shprehin revoltën dhe zemërimin e tyre për mënyrën se si i ka trajtuar dhe se si po i trajton qeveria.
Në një prononcim për mediat, Boçi tha se pensionistët duan që jeta e tyre të mos jetë një kalvar vuajtjes, siç ka qenë deri tani.
“Ata duan qetësi, kërkojnë siguri dhe këtë gjë kjo qeverisje ua ka marrë dhe madje nuk ua jep në masën që e meritojnë dhe që u duhet që të përballojnë jetën”, tha Luçiano Boçi.
Më tej ai u shpreh se një pjesë e pensionistëve mezi presin fundin e tyre që të shpëtojnë nga vështirësitë që kanë në jetë.
“Një pjesë e tyre duket sikur e presin atë fundin mezor që t’i vijë sepse duan që të heqin dorë nga vuajtje që i shkakton kjo qeverisje. Jam i bindur se këta pensionistë që janë keqpërdorur në këto vite do japin reagimin e tyre në zgjedhje. Ata janë ata që votojnë, jo me tifo zëri politike, por duke parë vështirësitë jetës në familjet dhe fëmijët e tyre”- u shpreh Boçi.
Pas fjalimeve të protestuesve, për rreth 2 orë, protesta e opozitës u mbyll pa ndonjë incident.
Ndërkaq, opozita ka parashtruar 17 amendamente për buxhetin, mes të cilave edhe vendosjen minimumi jetik.
Protesta e Opozitës para Kuvendit, Foto: Florian Abazaj 1 nga 3