E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i GJKKO lë në qeli ish-ministrin Lefter Koka

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, rrëzoi sot kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka për lirimin nga burgu.

Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Miliana Muça. Gjyqtarja Muça la në fuqi vendimin e GJKKO, e cila rrëzoi kërkesën e Kokës për shuarje të masës së sigurisë, me pretendimin se ka kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit për inceneratorin e Fierit.

Koka u arrestua në dhjetor të vitit 2021 për aferën e inceneratorit të Elbasanit, nën akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. Në vitin 2023 ai u dënua me 5 vite e 8 muaj burg, por në korrik 2025 Gjykata e Durrësit i njohu të drejtën e lirimit me kusht.

Në lidhje me inceneratorin e Fierit, Koka u dënua më 23 shtator 2023 me 10 vite burg, por në dhjetor 2024 Apeli i GJKKO vendosi që dosja të rikthehet për rigjykim në Shkallën e Parë. Më 21 tetor 2025, Gjykata e Lartë vendosi që kjo çështje të shqyrtohet nga Apeli i GJKKO.

Ndërkohë, për çështjen e inceneratorit të Tiranës, më 16 prill 2025, ai u dënua me 3 vite burg nga GJKKO, një vit më pak se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, por ky vendim ende nuk ka marrë formë të prerë.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›