Apeli i GJKKO nuk pranon ankimin e Belerit për hetimin e deputetes së PS, Olta Xhaçka

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi të mërkurën vendimin e shkallës së parë të GJKKO, duke mos pranuar ankimimin e ish-kryetarit të bashkisë së Himarës, eurodeputetit Fredi Beleri, për hetimin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka.
Beleri kërkoi që të rishikohet vendimi i datës 27 dhjetor 2024 dhe të hapen hetime përkatëse.
Më 28 shkurt, GJKKO urdhëroi SPAK që të regjistrojë kallëzimin penal dhe të nisë hetimet ndaj Olta Xhaçkës dhe bashkëshorti të saj, për akuzat e “shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale të kryer në bashkëpunim”.
Por të mërkurën Apeli rrëzoi vendimin e shkallës së parë të GJKKO.
“Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Shfuqizimin e vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Rrëzimin e ankimit të ankuesit Dh.A.B., me objekt “Shfuqizimin e vendimit/shkresës nr. 22920/1 Prot., datë 27.12.2024 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për veprën penale të kallëzuar dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse”, thuhet në njoftimin e Apelit.
/rtsh.al/