Vatikani gati të ndërmjetësojë për paqe

Papa Leoni i XIV në një fjalim të fundit deklaroi se do të bënte çdo përpjekje për paqen dhe ofroi Vatikanin si ndërmjetës në konfliktet globale.
“Nga ana ime, unë do të bëj çdo përpjekje që paqja të mbizotërojë. Selia e Shenjtë është gjithmonë e gatshme të ndihmojë që armiqtë, të flasin ballë për ballë me njëri-tjetrin në mënyrë që popujeve kudo tu rikthehet shpresa. U them me dorë në zemër udhëheqësve kudo: Le të takohemi, le të flasim, le të negociojmë. Lufta nuk është kurrë zgjidhje”, është shprehur Papa Leoni XIV.
Ati i Shenjtë bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës.
“Është e vërtetë. Nga Toka e Shenjtë në Ukrainë, nga Libani në Siri, nga Lindja e Mesme në Kaukaz, sa dhunë shohim! Duke u ngritur nga ky tmerr, nga masakra ndaj shumë të rinjve, jehon një thirrje: thirrja për paqe jo vetëm e Papës, por e vetë Krishtit”, është shprehur Papa Leoni XIV.
Qëkur u zgjodh kreu i Kishës Katolike, ai ka bërë thirrje për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, një armëpushim në Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Papa Leoni XIV bisedoi në fillim të kesaj jave me Zelensky dhe ofroi ndihmën e tij për të tejkaluar ndasitë mes palëve. Ndërkohë udhëheqësit botërorë do të jenë të pranishëm edhe në meshën zyrtare të inaugurimit të Atit të Shenjtë.
/rtsh.al/