E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Lefter Kokës, ish-ministri do të qëndrojë në qeli

Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën për lirim nga qelia të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë me pretendimin se i ka kaluar afati 3 vjeçar i paraburgimit.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më 26.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 270 akti, datë 17.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit L.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 656 akti, datë 24.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit” dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 656, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

U shpall në Tiranë, sot më datë 26.11.2025″, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

SPAK prangosi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, të inceneratorëve në Elbasan dhe Fier. Ai akuzohet për  “Shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Ish-ministri Koka qëndron në qeli që prej dhjetorit 2021.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›