E Martë, 3 Nëntor 2026

Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për heqjen e sekuestros së celularit

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të bashkisë së Tiranë Erion Veliajt për kthimin e celularit që iu sekuestrua në momentin e arrestimit.

Vendimi u mor sot me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili miratoi vendimin e marrë me 4 mars.

Veliaj kishte ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Kundër vendimit të Apelit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e Erion Veliajt për zëvendësimin e masës “arrest me burg”.

Erion Veliaj u arrestua në 10 shkurt dhe dyshohet nga SPAK për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›