Apeli i Posaçëm lë në fuqi masën “arrest shtëpie” për Berishën dhe Malltezin

TIRANE, 13 shtator/ATSH/ Apeli i Posaçëm la sot në fuqi masën “arrest shtëpie” ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi të cilët kishin kërkuar ndryshim të masës, tashmë të marrë të pandehur nga SPAK për dosjen “Partizani”.
Sipas njoftimit zyrtar, “Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi shpalli vendimin mbi ankimimin. Apeli la në fuqi vendimin e 30 korrikut të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Berisha dhe Malltezi u morën të pandehur për çështjen e privatizimit të ish- kompleksit Partizani ndërsa Malltezi u paraqit sërish sot në zyrat e Prokurorisë së Posaçme.Në një prononcim për mediet pasi doli nga SPAK, Malltezi u shpreh se SPAK nuk ka bërë pjesë të dosjes fletoren zyrtare me ligjet e kohës. Kjo, sipas tij tregon tregon nënshtrimin politik.
Malltezi tha se u bë i qartë vijimi me të njëjtën masë. “Ne i treguam gjykatës që prokurorët kanë dalë në gënjeshtër. Ka kod të veçantë për Edi Ramën dhe kod të veçantë për Sali Berishën”, tha ai.
Ish-kryeministri Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej dhjetorit të kaluar.
Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Partizani.