Rama: Mësuesit janë heronj të përditshëm, mbështetës dhe adhurues i punës së tyre

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama shprehu sot mirënjohjen dhe mbështetjen e tij të plotë për mësuesit, duke i quajtur ata figura që meritojnë të admirohen.
Gjatë një takimi të zhvilluar në shkollën “Kosova” në Tiranë, ku diskutohej për sigurinë në shkolla, Rama theksoi vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballen mësuesit çdo ditë. Në fjalën e tij, Rama, theksoi se është i vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe përkushtimin që kërkohet nga mësuesit.
“Si një baba që kam edhe mundësinë t’i gëzohem faktit që kemi një djalë 10 vjeç, duke pasur parasysh se çfarë përqendrimi, se çfarë beteje, se çfarë durimi duhet sot me një, unë ju them të gjitha juve që hyni nëpër klasa, Zoti qoftë me ju, Zoti dhe prindërit ju bekofshin çdo mëngjes kur nisin fëmijët në shkollë dhe çdo pasdite kur i marrin fëmijët në shtëpi se ne marrim pasdite në shtëpi një, ka të tjerë që marrin dhe dy, por unë po flas për atë një që marrim ne pasdite, që të mjaftohemi të kuptojmë se çfarë ndodh në fakt nga mëngjesi deri pasdite kur ju keni, përveç atyre që ju keni dhe nga një e nga dy, e nga tre vet, kur ju keni këta zogjtë që cicërojnë më fort se kurrë edhe që gjithmonë e më shumë janë aty për t’ju dhënë mend, jo për t’ju marrë mend dhe patjetër me këtë vetëdije, unë personalisht jam i gjithi adhurues dhe mbështetës i çdo mësueseje dhe mësuesi të kësaj Republike sepse jeni të vetmet figura që i shoh me zili në sensin që në raste të tjera them: e bëj dhe unë këtë, s’ka problem apo se futem në duel me këdo s’ka problem, por jeni të vetmet figura që ju shoh pa asnjë diskutim nga poshtë lart, duke e pranuar që në raport me ju dhe me punën tuaj jam komplet thjeshtë dhe vetëm një adhurues që nuk guxon të thotë që këtë punë tuaj mund ta bëj dhe unë. Nuk e bëj dot!”, thekson Rama.
Kryeministri Rama ishte sot në shkollën 9-vjeçare “Kosova në Tiranë për të diskutuar mbi sigurinë në shkolla. Gjatë takimit të pranishëm ishin Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha. Po ashtu, pjesë e takmit ishin dhe në një drejtues të institucioneve arsimore dhe oficerë të sigurisë në shkolla.
Me fillimin e procesit mësimor në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare në vend, rinisi funksionimin “Paketa e Sigurisë në shkolla”, një nismë në vitin e dytë të zbatimit dhe të konsolidimit të saj, e cila ka garantuar përgjatë vitit të kaluar një nivel tjetër sigurie në shkollë dhe perimetrin jashtë saj, në aspektin e sigurisë rrugore, sigurisë ushqimore, sigurisë urbane, si dhe mbrojtjes ndaj fenomeneve të dëmshme për nxënësit, si duhanpirja, apo konsumimi substancave të ndaluara.
Për të garantuar sigurinë e nxënësve, janë angazhuar 240 oficerë sigurie në shkollat e mbarë vendit. Falë bashkëpunimit të tyre me nxënësit dhe me punonjësit e Policisë së Shtetit, bëhet i mundur ndërgjegjësimi i të rinjve dhe edukimi i tyre me kulturën e ligjshmërisë, si dhe parandalimi i situatave të konflikteve që mund të vendosin në rrezik jetën.
/a.f/