E Enjte, 5 Nëntor 2026

Apeli i dha vulën e PD-së Berishës, SHBA për ATSH: Pozicioni ynë për “non gratat” mbetet i pandryshuar

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila rrëzoi sot ankimimin e Lulzim Bashës dhe njohu Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike, sot ka reaguar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Në një reagim për ATSH, Ambasada e SHBA shprehet: “Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”.

“Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euroatlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, përfundon reagimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë për ATSH.

Në datën 11 qershor 2024 Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me relatore gjyqtare Alma Ahmeti dhe anëtare Elona Toro dhe Iliba Bezati, vendosi mospranimin e ankimimin e Lulzim Bashës të ushtruar kundër vendimit të datës 25 mars 2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke njohur Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.

Në një mesazh në “Twitter” Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, shkruante në maj 2021 se, Berisha dhe familja e tij ishin shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe iu ndalohet hyrja në vend.

“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruante Sekretari Amerikan i Shtetit.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›