E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Antikorrupsioni”, Komisioni merr 5 vendime, ngrihen 3 grupe ekspertësh

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, i konstituuar sot ka miratuar 5 vendimet e para.

Gjatë punimeve të Komisionit të Posaçëm, morën pjesë Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, por nuk mori pjesë opozita.

Kryetari i Komisionit të Posaçëm, deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, në fund hodhi për votim pesë pikat e para të cilat ishin në rend të ditës.

“Së pari, vendimmarrja e parë, me qëllim për të siguruar një efikasitet të veprimtarisë së komisionit, në përmbushje të misionit e tij, anëtarët e tij dhe grupi ekspertëve posaçërisht, që do të organizohen në tre nëngrupe që do të angahzohen për tre fushat kryesore të veprimtarisë së këtij komisioni. Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, sipas fushave të veprimtarisë dhe në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimit të planit kombëtar të veprimit dhe për propozimin e masave përkatëse legjislative dhe institucionale. Nëngrupet kryesore janë: Mirëqeversja, antikorrupsionin dhe sundimi i ligjit. Natyrisht kryesia e komisionit do të marrë përgjegjësinë për ta koordinuar dhe organizuar këtë proces me anëtarët e komisionit dhe grupet e ekspertëve në vazhdim, në përputhje me qëllimin e përfshirjes dhe kontributin e tyre”, tha Xhafaj.

“E dyta, ne e kemi të detyrueshme t’i hapim rrugë procesit për të marrë vendimmarrje për t’iu drejtuar me një ftesë për bashkëpunimin organizatave të shoqërisë civile, universiteteve publike dhe jopublike, Akademisë së Shkencave dhe grupeve të interesit, për të shprehur interesin e tyre për përfshirjen në nivel ekspertësh, me qëllim edhe për të kontribuar me të dhëna të ndryshme, analiza, strategji, plane veperimi etj.

E treta, i drejtohemi institucioneve të pavarura, Avokati i Popullit, ILDKPI, AMF, INSTAT etj., për të na nisur emrin e ekspertëve me të cilët do bashkëpunojmë. Po ashtu shkresë do t’i nisim dhe institucioneve ligjzbatuese.

E katërta, t’i kërkojmë Kuvendit, ministres për Administratën Publike dhe Korrupsionin, ministres së Shtetit për Integrimin Evropian etj., të mundësojnë që këshilltarët që janë pranë stafit të tyre, të bëhen pjesë e sekretariatit teknik që do të funksionojë pranë grupit të ekspertëve të komisionit. E pesta, i kërkojmë Kuvendit dhe qeverisë, të ofrojnë dokumenta pune, të dhëna, për objektin e veprimtarisë së këtij komisioni”, tha Xhafaj.

Kuvendi miratoi në 30 maj me 74 vota pro dhe 6 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Ky komision synon thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e mëtejshëm i zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike””.

Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.

1 nga 5

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›