E Martë, 3 Nëntor 2026

Apeli la në burg Veliajn, Haxhia: SPAK nuk solli asnjë provë të re! S’mund të izolohet njeriu më i votuar në vend

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën arrest me burg për Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, pas dy seancave maratonë. Gjyqtari që dënoi ish-ministrin Tahiri, shpalli sot vendimin duke e lënë Veliajn në qeli, ku mbahet prej më shumë se një muaji nën akuzë për korrupsion pasiv e pastrim të parave. Veliaj kërkonte masë më të butë sigurie edhe kundrejt garancisë pasurore, por kërkesa u rrëzua nga Pëllumbi.

Pas seancës, avokati Maks Haxhia tha se SPAK nuk solli asnjë provë të re dhe se nuk mund të lihet në burg personi më i votuar në Shqipëri.

“Nuk mund të aplikohej masa e arrestit me burg për njeriun më të votuar në Shqipëri dhe t’i thuash je person i rrezikshëm. Rrezikshmëria e personit është e lidhur me argumentin dhe mund për të kryer vepra të tjera penale, vepra të rrezikshme, ato që dëmtojnë jetën dhe shëndetin. Kurse këto lloj veprash penale me karakter administrativ. Është i njëjti material që ka qenë edhe në Gjykatën në Shkallë të Parë. Initmidim nuk është term procedural, term procedural është të prishësh provat”, tha Haxhia.

Nga ana tjetër, gjyqtari i Posaçëm ka zbutur masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për biznesmenin Elman Abule, i akuzuar për pastrim parash në çështjen e Veliajt. Abule, kërkoi masë tjetër me argumentin se mungesa e tij po i shkatërron biznesin ndërsa ka edhe arsye familjare.

Masa detyrim paraqitjeje është lënë në fuqi për 3 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv. Ky vendim, i hap rrugë Veliajt që t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs.

Po sot, i njëjti gjyqtar Pëllumbi ka rrëzuar edhe një kërkesë të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, për heqjen e sekuestros së llogarive bankare. Xoxa, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu nuk e kanë ankimuar masën detyrim paraqitjeje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›