E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aplikimet për studimet e larta, “Eqrem Çabej” fton maturantët të zgjedhin programet e tij

Në kohën kur maturantët janë duke vendosur se ku do t’i vazhdojnë studimet e larta, rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Jaho Cana, u bën thirrje të zgjedhin mes degëve që ky institucion akademik ofron në të tria fakultetet: Ekonomikut, Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore dhe atij të Shkencave Natyrore. Për mikrofonin e RTSH, z. Cana rendit edhe arsyet pse.

“Studentët tashmë janë kthyer jo thjesht në një subjekt, por në një objekt shumë të rëndësishëm, duke marrë pjesë aktive në vendimmarrjen e universitetit tonë. Këtyre studentëve u janë hapur të gjitha hapësirat për t’u bërë pjesë e projekteve të kërkimeve shkencore dhe mbi të gjitha nëpërmjet mobiliteteve që tashmë ne kemi fituar me Spanjën, Poloninë, Greqinë, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shprehet rektori Cana.

Për sa u përket degëve prioritare, kreu i universitetit “Eqrem Cabej” thekson se për vitin e ardhshëm akademik pritet të shtohet fondi për marrjen e pagës 40-mijëlekëshe.

“Në qoftë se gjatë vitit të kaluar kishim një numër më të limituar bursash, këtë vit presim që ato të jenë gati dyfish. Përfitimi i studentëve që do të ndjekin këto degë natyrisht që do të jetë shumë i lartë,” thotë z. Cana.

Universiteti i Gjirokastrës ofron 41 programe studimi në të gjitha ciklet, duke nisur nga programet 2-vjeçare profesionale, Bachelor, Master Profesional, Shkencor, Ekzekutiv dhe Doktoraturë. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›