Shqipëria dhe Letonia drejt marrëveshjes së sigurimeve shoqërore

Shqipëria ka përmbyllur me sukses raundin e dytë të negociatave me Letoninë për një marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore. Bisedimet, të zhvilluara në kryeqytetin letonez Riga, shënojnë një progres të rëndësishëm në mbrojtjen sociale të qytetarëve që punojnë dhe kontribuojnë në të dyja vendet.
Delegacioni shqiptar u drejtua nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, ndërsa pala letoneze nga drejtoresha e Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Politikave të BE-së në Ministrinë e Mirëqenies, Ineta Tāre.
Palët arritën dakordësinë për marrëveshjen kuadër dhe atë administrative, të cilat garantojnë mbrojtje të plotë sociale për qytetarët, në përputhje me legjislacionet përkatëse të secilit vend. Kjo do të thotë se shqiptarët që punojnë në Letoni dhe letonezët që punojnë në Shqipëri do të kenë të drejta të garantuara lidhur me sigurimet shoqërore, duke përfshirë pensionet, shëndetësinë dhe përfitimet e tjera sociale.
Marrëveshja tani do t’i nënshtrohet procedurave të miratimit nga të dyja qeveritë dhe parlamentet përkatëse, duke shënuar hapin e fundit para hyrjes së saj në fuqi.
Kjo iniciativë përfaqëson një tjetër hap thelbësor në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe në forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Me këtë marrëveshje, Shqipëria e çon në 21 numrin total të marrëveshjeve dypalëshe të negociuara në fushën e mbrojtjes shoqërore, prej të cilave 13 janë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo tregon angazhimin e Shqipërisë për të siguruar mirëqenien e qytetarëve të saj dhe për të harmonizuar legjislacionin social me standardet evropiane.
/rtsh.al/