E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi për statusin, shqyrtimi në nëntor

Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, tha në një intervistë për "Top Channel" se kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian do të diskutohet në muajin nëntor. Fratini tha se këtë mesazh ia kishte përcjellë edhe Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. "Edhe Kryeministrit Berisha i konfirmova se po këmbëngulim që aplikimi i Shqipërisë të shqyrtohet sa më parë nga Komisioni Europian. Besoj se në nëntor, kërkesa do të shqyrtohet", tha Fratini. Ndërsa komenton kundërshtimin e Gjermanisë, ministri Fratini thotë se nuk është folur për vendim politik, por për një çështje teknike, sepse në parim nuk janë shfaqur kontradikta. Angela Merkel në një konferencë për shtyp dje tha se Gjermania do t‘i kthehet progres-raportit për ta analizuar përpara se të vendosë në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Deklarata vjen pas dështimit të kësaj kërkese në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian. Ndryshe nga Presidenca Suedeze, Holanda, vendi që mbështeste qëndrimin e Gjermanisë për të shtyrë diskutimin e kandidaturës së Shqipërisë, vlerëson se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian është çështje politike. "Aplikimi duhet të pranohet nga Këshilli dhe më pas i nënshtrohet procedurës teknike nga Komisioni. Vonesa për shqyrtimin vjen nga fakti se kemi një qeveri të re dhe parlamentarët gjermanë nuk janë ulur ende në karriget e tyre. Ndërkohë nisur nga çështja e Traktatit të Lisbonës, tashmë kemi një procedurë të re pune në disa vende për të konsultuar më shumë Parlamentin, siç është rasti dhe në vendin tim, ne nuk patëm zgjedhje, por Gjermania sapo i kaloi ato. Pra nuk është çështje politike, por tërësisht teknike", u shpreh ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt. "Nuk ka ende unanimitet për këtë. Disa vende mendojnë se nuk është vetëm teknike por dhe politike kjo çështje, duke argumentuar se vet Shqipëria insiston për rëndësinë e dhënies së mandatit ndaj Komisionit. Tetori nuk rezulton muaj i suksesshëm për unanimitetin, megjithëse pati presione, por Presidenca na la të kuptohet se kjo gjë mund të arrihej gjatë muajit nëntor", thekson ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›