E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti hungarez: Liberalizim vizash në 2010-ën

Hungaria i jep garancinë Shqipërisë se vizat do të liberalizohen brenda verës së vitit të ardhshëm, nëse Shqipëria do të ketë një sistem të sigurt identifikimi dhe një kontroll të lartë të kufijve. Presidenti i Hungarisë i bëri këto deklarata ditën e djeshme, gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi dhe më pas me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Por përtej liberalizimit të vizave, një tjetër çështje e diskutuar është ngërçi politik i krijuar pas zgjedhjeve parlamentare. "Hungaria e vlerëson lart rolin stabilizues dhe mediator të Presidentit Topi për dialog politik, që edhe institucionet të funksionojnë. Gjithashtu dhe bashkësia ndërkombëtare e shikon të rëndësishme që Parlamenti të funksionojë normalisht", u shpreh Presidenti Lazlo Solyom. "Nëse Shqipëria arrin të garantojë mjete të sigurta identifikimi dhe bën kontroll rigoroz të kufijve të saj, atëherë liberalizimi i vizave do të bëhet në fund të verës së ardhshme. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë, në mënyrë që zyrtarët shqiptarë të specializohen në Hungari për sa i përket përgatitjes së kushteve teknike", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›