E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apokalipsi kthen Zija Çelën pas 50 vitesh në vendlindje

“Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, romani i fundit i shkrimtarit Zija Çela e ka rikthyer atë pas 50 vitesh në qytetin e tij të lindjes. Departamenti i Letërsisë i Universitetit “Luigj Gurakuqi” ka organizuar promovimin e këtij libri me rastin e 65-vjetorit të shkrimtarit në bibliotekën e këtij universiteti, ku e pranishme ka qenë dhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Pedagogë të Letërsisë në këtë universitet kanë folur rreth librit, ndërsa vetë autori është shprehur se është meritë e qytetarëve të Shkodrës që ndodhet këtu, ndërkohë që ka falenderuar kryeparlamentaren Topalli për befasinë që i ka krijuar me pjesëmarrjen e saj në këtë aktivitet. “Kemi një shpresë më shumë nga shpresa që mendojmë dhe është shumë e rëndësishme kur një qytet, elitën politike që e ka brenda qytetit apo e ka nxjerrë në plan kombëtar, e ka të llojit që është pjesë e elitës kulturore e akademike. “Apokalipsi sipas Shën Tiranës’ është zëri i shpirtit kërkues të autorit, por njëkohësisht një akuzë dhe pendesë e tërë asaj që ka ndodhur e ndodh me shoqërinë dhe qenien njerëzore”, - është shprehur ndër të tjera shkrimtari Zija Çela. “Libri im nuk është hyjnor, - ka shtuar ai, - por është një tregim për realitetin”. Pedagogë të departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës folën për veprën e shkrimtarit, si dhe vlerësuan rrugëtimin e tij letrar si një shkrimtar që i kalon kufijtë e Shqipërisë. “Apokalipsi” i Zija Çelës është një dëshmi e kthimit të letërsisë në frymëzimin burimor, zanafillor, hyjnor dhe, në kuptimin e simbolit përbën një historik të të gjithë ekzistencës njerëzore. D.Kolaj

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›