Rekord shitjesh, Blendi Fevziu dhe “Enver Hoxha”
Nuk ka ndodhur që një libër të shitet për dy ditë në 150 kopje, sidomos për tregun tonë është diçka e pakapshme", - ka thënë përfaqësuesi i librarisë “Artini”, duke shtuar se libri i cili pason pas atij të Fevziut, është libri i Helena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme” dhe libri i Barak Obamës “Ëndrra nga im atë”
150 kopje të shitura në ditë vetëm në një librari në Prishtinë
E para biografi e Enver Hoxhës bazuar në dokumentet e arkivave personalë dhe në rrëfimet e atyre që e njohën, me autor gazetarin Blendi Fevziu, po thyen rekorde shitjesh edhe në Kosovë. Ndërkohë që në Tiranë libri numëron 5 mijë kopje të shitura vetëm në dy javë, në Prishtinë vetëm në një librari janë shitur 150 kopje. Sipas së përditshmes “Zëri” në Kosovë, e cila ka pyetur në libraritë kryesore të Prishtinës, libri i gazetarit Blendi Fevziu rezulton të jetë libri më i shitur. Disa nga librashitësit në Prishtinë tregojnë për një interes të madh të lexuesve për librin, “ndonëse çmimi për standardin tonë është mjaft i lartë”, - shprehet përfaqësuesi i librarisë “Artini”. Libri, i cili ka bërë një bum shitjeje sipas përfaqësuesve të disa prej librarive kryesore të kryeqytetit të Kosovës, është libri i gazetarit Blendi Fevziu për biografinë e Enver Hoxhës, i cili ka thyer rekord shitjeje për një periudhë shumë të shkurtër. “Nuk ka ndodhur që një libër të shitet për dy ditë në 150 kopje, sidomos në tregun tonë kjo është diçka e pakapshme”, - ka thënë përfaqësuesi i librarisë “Artini”, duke shtuar se libri i cili pason pas atij të Fevziut është libri i Helena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme” dhe libri i Barak Obamës “Ëndrra nga im atë”. Për librin më të shitur të Blendi Fevziut për biografinë e Enver Hoxhës, ka folur edhe Besjan Zeneli nga libraria “Buzuku”. “Ky libër ka thyer rekordin e shitjes, është një libër që rrallë ka ndodhur të shitet kaq shumë. Ndoshta nga viti 1999 ka vetëm tre tituj që kanë pasur numër të shitjes së përafërt”, - është shprehur për të përditshmen “Zëri”, Besjan Zeneli. Ndërsa librat e tjerë që gjithashtu janë shitur në masë të madhe sipas Zenelit, janë libri i Helena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme”, libri i Ramiz Kelmendit “Nga ditari im”, Kadare me “Mbi krimin në Ballkan” dhe “Darka e gabuar” etj. Libri biografik për Enver Hoxhën vjen për lexuesin mbarëshqiptar nga botimet UET Press, duke u shndërruar në një best-seller jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Ky është një ndër rastet e rralla që një libër nxit interes kaq të madh edhe përtej kufijve. Libri “Enver Hoxha” tenton të tregojë përmes dokumenteve dhe dëshmive të periudhës sesi ish- udhëheqësi komunist i shqiptarëve arriti të konsolidojë dhe të ndërtojë pushtetin e tij. Autori u ka kushtuar një rëndësi të veçantë dokumenteve, ku përmes tyre del qartë raporti i Hoxhës me kundërshtarët dhe sesi arriti t’i eliminonte një nga një. Figura e Enver Hoxhës në biografinë e parë të tij bazuar mbi dokumentet e arkivit personal sipas Blendi Fevziut, është ajo e një tirani të pashembullt, një prej fatkeqësive më të mëdha të këtij vendi, por padyshim një njeri me një talent të spikatur politik, edhe pse një talent kriminal. Në këtë libër është përfshirë edhe ditari personal i Enver Hoxhës, që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Një ditar, që sipas autorit Blendi Fevziu ka rreth 7000 faqe. “Ditari i Enver Hoxhës ndodhet në AQSH dhe deri tani unë kam parë vetëm disa data të tij të botuara në shtyp. Shumë pak në krahasim me afro 7000 faqet që ka lënë ai trashëgim. Por jo i gjithi vlen. Madje mund të thuhet që më shumë vlen për të krijuar një ide mbi situatat e ndryshme politike dhe situatën familjare që ka pasur ai; mbi paranojat, mbi idenë e mënyrës se si funksiononte njeriu numër një i shtetit komunist; mentalitetin e tij meskin dhe shpesh banal. Bëhet fjalë për një ditar të ndarë në tri pjesë, por që unë nuk e kam lexuar të gjithin”, - do të shprehej në një intervistë për “MAPO”-n vetë autori. Ndërkaq, Fevziu rrëfen se ka ende shumë detaje mjaft interesante mbi ish-diktatorin, të cilat ai nuk i ka përfshirë në librin e tij, pasi nuk ka qenë tërësisht i sigurt në vërtetësinë e tyre. Gjithsesi, biografia “Enver Hoxha” e gazetarit Blendi Fevziu tashmë ka marrë rrugën e suksesit, duke u kthyer padyshim në librin më të shitur në tregun shqipfolës. Një interes të madh biografia e diktatorit të shqiptarëve ka ngjallur edhe në Kosovë.