Apolonia – Lushnja, derbi pikant i javës

Kategoria e Parë rikthehet në fushën e lojës të shtunën dhe të dielën me ndeshjet e javës së katërt. Për herë të parë në futbollin shqiptar do të luhet në orët e mesditës. E kjo do të ndodhë në Vlorë në sfidën Flamurtari – Besa dhe në Berat në duelin mes Tomorit dhe Dinamos. Në përgjithësi orari më i hershëm që është luajtur në Shqipëri ka qenë ora 13:00, apo 13:30.
Gjithsesi duke u ndalur tek sfidat e javës së katërt, ndeshja më pikante mbetet dueli myzeqar mes Apolonisë dhe Lushnjës, që zhvillohet në stadiumin “Loni Papuçiu”. Të dyja skuadrat në të njëjtën kuotë pikësh, katër, pas tre ndeshjesh dhe të dy ekipet vijnë pas fitoresh në Kupën e Shqipërisë, madje rival të drejtpërdrejtë. Apolonia fitoi në Lezhë, 1-0, kurse Lushnja mundi Tërbunin, 2-0.
Sfidë e ekuilibruar ajo mes Flamurtarit e Besës dhe Besëlidhjes dhe Tërbunit. Të katër këto skuadra janë në të njëjtën kuotë pikësh. Mund të konsiderohet interesante dueli mes Luzi 2008 dhe Skënderbeut, me mundësinë e korçarëve për të gjetur pikët e munguara, sepse luhet në një fushë asnjanëse si ajo e Shijakut. Po i ekuilibruar mbetet përballja mes Tomorit e Dinamos, apo dhe Burrelit e Orikut. Ajo që dihet dhe që pritet është fakti se java e katërt e Kategorisë së Parë imponon emocione të mëdha.
E SHTUNË 1 TETOR 2022
Flamurtari – Besa 12:30
Luzi 2008 – Skënderbeu 15:00
Korabi – Turbina 15:00
Apolonia – Lushnja 15:00
Besëlidhja – Tërbuni 15:00
E DIEL 2 TETOR 2022
Tomori – Dinamo 12:30
Burreli – Oriku 15:00