Ferko: Duam fitoren ndaj Besës!

Flamurtari – Besa është ndeshja e javës së katërt të Kategorisë së Parë, e cila të shtunën në ora 12:30 do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Vlonjatët do të kërkojnë të kenë vazhdimësi në rezultate, të cilat i kanë nisur që nga ndeshja e parë me Vllazninë në këtë mesjavë në Kupën e Shqipërisë, kur kanë fituar 2-1. Alfred Ferko, ish-futbollisti i Flamurtarit dhe i kombëtares shqiptare, tanimë në rolin e drejtorit teknik të kuqezinjve tregon se të shtunën do të luhet vetëm për një objektiv, fitorja.
“Besoj se do të kemi vazhdimësi në rezultate dhe shpresojmë që ndeshjet e mira që kemi bërë, kjo si me Turbinën, ashtu dhe me Vllazninë në Kupën e Shqipërisë, t’i kemi dhe më tej. Që do të thotë se edhe ndaj Besës do të synojmë fitoren”.
Ferko ka komentuar dhe pozicionin e tij si drejtor teknik, ndërsa kërkon të bëjë më të mirën.
“Është përgjegjësi e madhe dhe i falënderoj të gjithë që besuan tek unë për këtë detyrë të re. Do të mundohem t’ia shpërblej me punë dhe me rezultate të mira, që Flamurtari i meriton”.
Ai i ka bërë thirrjes sportdashësve vlonjatë që të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit, ndërsa është i bindur se Erik Flores do t’i japi më shumë forcë repartit të sulmit.
“Ne edhe pse kemi patur rezultate jo të mira publiku ka qenë i shumtë në shkallët e stadiumit. Dhe i falënderoj për këtë, ndërsa shpresoj që të jetë i tillë dhe në ndeshjen e nesërme. Flores është një lojtar që e njeh futbollin dhe kampionatin shqiptar e që do të na japë më tepër siguri në këtë kampionat”.