E Diel, 1 Nëntor 2026

Apolonia kremton Fjetjen e Hyjlindëses Mari, besimtarë e vizitorë në manastirin e lashtë për festën e Pashkës së Verës

Dhjetëra besimtarë nga Fieri dhe zonat përreth u mblodhën mëngjesin e 15 gushtit në Manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Apoloni, për të kremtuar një prej festave më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, të njohur si Pashka e Verës.

Ceremonia fetare u zhvillua nën drejtimin e Mitropolitit të Fierit, imzot Nikollës, ku besimtarët morën pjesë në shërbesat kushtuar Nënës së Zotit dhe përcollën urime për paqe, shëndet e mbarësi në familjet e tyre.

“Është një festë shumë e gëzueshme, quhet ndryshe edhe Pashka e Verës. Na mbush me gëzim dhe shpresë. Kemi nevojë që udhëheqësit tanë, pushtetarët, Zoti t’i ndriçojë me urtësinë e tij që të bëjnë veprat e duhur për dobi të kombit tonë”, tha imzot Nikolla.

Atmosfera në manastirin shekullor u shoqërua me lutje, ndezje qirinjsh dhe vizita pelegrinazhi, ndërsa ky monument i trashëgimisë së krishterë vijon të mbetet një pikë e rëndësishme shpirtërore dhe kulturore për zonën e Apolonisë.

Vizitorë të shumtë, vendas dhe të huaj, janë bashkuar në Manastirin e Apolonisë në liturgjinë e 15 gushtit, në kishën e Shën Mërisë brenda kompleksit të manastirit, për të kremtuar festën e Fjetjes së Hyjlindëses Mari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›