E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluks i lartë lëvizjesh në kufirin me Greqinë, Drejtori i Kufirit dhe Migracionit: Shtojmë personelin dhe sportelet për të ulur radhët

Fluksi i lartë i udhëtarëve në pikat e kalimit kufitar me Greqinë ka sjellë shtimin e masave nga autoritetet shqiptare dhe greke, me qëllim përshpejtimin e përpunimit të qytetarëve dhe uljen e kohës së pritjes.

Për koordinimin e masave, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtues i Parë Saimir Muçaj, zhvilloi një takim me homologët e Policisë greke në ambientet e Qendrës së Përbashkët të Kontaktit për Bashkëpunimin Policor dhe Doganor në Kakavijë.

Në takim morën pjesë Drejtori Vendor për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë, drejtuesit e Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë dhe të Drejtorisë së Kufirit Janinë.

Përmes një lidhjeje online mori pjesë edhe Kolonel Andreas Karageorgos, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Kufirit në Policinë greke, i cili ndodhej i angazhuar për shkak të një situate emergjente në një zonë kufitare të Greqisë.

Në qendër të takimit ishte menaxhimi i fluksit të lartë në pikat e kalimit kufitar, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimeve kufitare.

Palët u angazhuan për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe shtimin e sporteleve në pikat e kalimit kufitar, me qëllim përpunimin sa më të shpejtë të udhëtarëve dhe shmangien e radhëve të gjata në të dyja anët e kufirit.

“Dy vendet tona janë vende që kanë pësuar rritje të turizmit dhe rritje të qarkullimit ndërkufitar. Shprehëm gatishmërinë për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, me qëllim uljen e kohës së përpunimit të shtetasve që udhëtojnë në kufirin tonë. Morëm të njëjtin angazhim edhe nga pala greke. Premtuam bashkëpunim dhe forcim të masave, duke shtuar personel me qëllim uljen e radhëve të gjata në të dyja anët e kufirit. Policia Kufitare shpreh angazhimin e saj që në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka shtuar masat dhe sportelet, me qëllim uljen e kohës së pritjes”, tha Muçaj.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për intensifikimin e bashkëpunimit operacional mes strukturave shqiptare dhe greke, me fokus parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Autoritetet shqiptare dhe greke pritet të vijojnë koordinimin e masave përgjatë kësaj periudhe, për të përballuar fluksin e lartë të lëvizjeve dhe për të garantuar një proces sa më të shpejtë në pikat e kalimit kufitar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›