E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Arbana: Sistemojnë rrugët e fshatrave të Shijakut për nxitjen e agroturizmit, projekte për të rinjtë e të moshuarit

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Bashkia e Shijakut për vitin 2025 përveç investimeve për përmirësimin e infrastrukturës dhe jetës së qytetarëve synon zhvillimin e fshatrave, të cilët kanë një natyrë mbresëlënëse, duke i dhënë nxitje agroturizmit.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana në një intervistë për mediet tha se për realizimin e këtij qëllimi plani i bashkisë është të sistemojë rrugët rurale të çdo fshati, duke sjellë zhvillim në këto zona me qëllim përmirësimin e jetës së banorëve.

Duke folur për projektet e tjera që bashkia ka në plan të realizojë gjatë këtij viti, Arbana tha se “do t’i japim shijakasve një qendër qyteti më të bukur dhe funksionale falë investimit të qeverisë shqiptare”.

“Gjithashtu kemi një projekt për argjinaturën e lumit Erzen për ta kthyer në shëtitore. Do të kujdesemi për mjedise që i shërbejnë moshës së tretë që të kalojnë një pjesë të ditës së tyre aty”, tha Arbana.

Sipas tij, një tjetër prioritet është nxitja e punësimit të studentëve të diplomuar që të jetojnë në Shijak.

“Me shembjen e godinës së vjetër të Pallatit të Kulturës iu hap rruga ndërtimit të një Xhamie të madhe për gjithë komunitetin mysliman në bashkinë e Shijakut”, tha ai.

Kryebashkiaku Arbana u shpreh se “po punojmë gjithashtu me asfaltimin e “Katër rrugëve” dhe rrugëve rurale në Njësitë Administrative Gjepalaj, Maminas, Xhafzotaj. Gjithë këto investime ndikojnë drejtpërdrejtë në lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe bizneseve të këtyre zonave”, tha Arbana.

Pyetjes nëse bashkia ka buxhet për të realizuar dhe punë të tjera që lidhen me premtimet e dhëna për qytetarët e Shijakut, Arbana iu përgjigje se “investimet më të mëdha janë bërë gjatë procesit të rindërtimit”.

“Të vetëm nuk do ia dilnim dot. Kemi pasur dhe vazhdojnë të kemi mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare, falë të cilëve kemi ndryshuar jetën e mijëra familjeve shijakase që sot gëzojnë një shtëpi të re, apo të rikonstruktuar pas tërmetit. Fëmijët shkojnë në kopshte me kushte bashkëkohore, më të bukura dhe më të sigurta. Nxënësit studiojnë në shkolla të reja me të gjitha kushtet. Shumë shpejt do të kenë mundësi të aktivizohen me aktivitete të ndryshme kulturore në Qendrën Kulturore Multifuksionale që po përfundon ndërtimin e saj. Punimet që po bëhen, janë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, të cilat, disa prej tyre i ka nisur që në muajin qershor 2024”, u shpreh ai.

I pyetur nëse ka pasur probleme në Shijak, apo rrezik përmbytjeje nga reshjet e shiut të disa ditëve më parë, Arbana tha se nuk ka pasur.

“Ne nisim me pastrimin e pusetave dhe kanalizimeve në muajt gusht, tetor dhe javën e parë të dhjetorit. Ndërkohë që jemi kujdesur vazhdimisht për argjinaturën e lumit Erzen. E gjithë kjo ka dhënë rezultat pozitiv duke mos krijuar rrezik përmbytje, gjë e cila para disa vitesh ka qenë problem për shumë familje shijakase”, tha ai.

Lidhur me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar Rinor, Arbana tha se “unë vetë jam përfshirë në radhën e të rinjve që e shikojnë politikën si një mundësi e shtuar që të bëjnë diçka më tepër për komunitetin ku jetojnë. Partia Socialiste është e hapur për prurje të reja. Janë të mirëpritur të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen misionit të familjes tonë politike, sepse vetëm Partia Socialiste sjell progresin e Shqipërisë”.

Kryebashkiaku Arbana ftoi shqiptarët e diasporës dhe në veçanti për shijakasit kudo në botë të regjistrohen në KQZ që të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›