E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Konventa e PL-së, Meta audiomesazh nga burgu: Dumani nuk më përjashton dot nga politika

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Partia e Lirisë ka zhvilluar sot Konventën e saj në sallën e mbledhjeve të Xhamisë së Namazgjasë, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe 100 ditë nga arrestimi i Ilir Metës, i akuzuar nga SPAK për 3 vepra penale.

Nga paraburgimi, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu drejtua për herë të parë mbështetësve të tij nëpërmjet një audiomesazhi ku shpalosi premtimet elektorale për zgjedhjet parlamentare.

Meta tha se është “marrë peng nga Rama-Dumani për të grabitur një mandat të katërt”.

“Qytetarët do i japin përgjigje kësaj bande, që po i lë pa atdhe. Metën nuk e përjashton dot nga politika, as Rama, as Dumani dhe as Mc Gonigal”, tha Meta.

Meta tha se së fundmi, vihet re nxitimi i Edi Ramës për të zhdukur në mënyrë antikushtetuese çdo gjyqtar me integritet që ka mbetur në Gjykatën Kushtetuese përpara zgjedhjeve të 11 majit.

“Ashtu siç kam paralajmëruar publikisht edhe para 2 muajve, në mënyrë që të mos ketë asnjë mendim pakice në institucionin më të rëndësishëm që ka Republika e Shqipërisë.
Ndaj këtu duhet të përqëndrohemi shumë fort, në mënyrë që të mos ktheheni nga një Republikë Parlamentare në Dumano-Republikë”, u shpreh Meta.

Meta u ndal edhe tek programi i PL që sipas tij, është konkret e që ka përcaktuar qartë 5 prioritetet nga ai më emergjenti i ndalimit të shpopullimit të vendit, e deri te prioriteti final për ta shndërruar Shqipërinë në një fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon.

Meta tha se Partia e Lirisë ka “5 prioritete kyçe, që nga ai për 4 milionë shqiptarë plus”.

“Ne do ta ndalojmë shpopullimin, duke ulur taksat dhe nënat me dy ose më shumë fëmijë, duke garantuar kredi për çifteve të reja. Do garantojmë transport falas për pensionistët. Do të mbështesim fermerët. Ne duam që Shqipëria të kthehet në fuqi prodhuese. Do të dhurojmë 20 mijë euro për çdo person që nis biznes të ri”, tha Meta.

Gjatë fjalës së tij Meta tha se “programi ynë social dhe ekonomik është tërësisht i aplikueshëm”.

Meta u kërkoi anëtarëve të Partisë së Lirisë që të shumëfishojnë përpjekjet për të larguar “këtë regjim antikombëtar”.

“11 maji mundësi historike për të larguar atë, që ka mbjellë mjerimin në vend. Do të zgjidhem deputet nga qytetarët e Shqipërisë, por edhe ata që do të votojnë kudo në diasporë. Ju kërkoj të shumëfishoni përpjekjet tuaja, që t’i japim fund kësaj drame dhe të arkivojmë këtë Rilindje, që ishte drama më e madhe për popullin shqiptar. Kauzat tona janë të shenjta për popullin shqiptar”, tha Meta.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi nga konventa e PL tha se kjo parti ndodhet në luftë me SPAK që e cilvsoi si organizatë kriminale sorosiste.

“Sot jemi në luftë me organizatën kriminale sorosiste SPAK sepse nëpërmjet saj “Rilindja” nuk po rrëmben dhe burgos vetëm kundërshtarët politikë të regjimit, por po përpiqet të rrëmbejë të gjithë Shqipërinë për llogari të mafias. Dhe për çfarë? Në këmbim të një mandati të përjetshëm për Altin Dumanin”, u shpreh Blushi.

“Afërmendsh nuk do të lejojmë që të ardhmen e fëmijëve tanë t’ia lemë në duar Dumanit për t’ia dhuruar Edi Ramës dhe bashkë me të një mandat tjetër 4-vjeçar në kurriz të shqiptarëve”, shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›