Arben Imami paditet për shkelje të ligjit në dhënien e gradave
Dhjetëra ushtarakë akuzojnë ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe Komisionin e Vlerësimit të Gradave në Ministrinë e Mbrojtjes se kanë dhënë vlerësime subjektive.
Burime nga dikasteri i Mbrojtjes bëjnë të ditur për Shekullin se një numër i lartë ushtarakësh i janë nënshtruar vlerësimit të Komisionit të Vlerësimit të Gradave, ku sipas tyre mjaft ushtarakë të zotë dhe të ndershëm nuk kanë mundur të rriten në gradë, pasi vlerësimet janë bërë mbi baza partiake.
Një pjesë e ushtarakëve kanë marrë guximin që ti drejtohen dhe gjykatës duke kërkuar prej drejtësisë fitimin e së drejtës për të përfituar rritje në gradë. Pjesa më e madhe e atyre që kanë paditur kërkojnë shfuqizimin e vlerësimit të Komisioneve të Vlerësimit.
Detyrimin e të paditurit Ministria e Mbrojtjes të rivlerësojë të drejtën e paditësit dhe ti japë edhe paditësit gradën Kolonel, thuhet në objektin e padisë të depozituar në gjykatë.