Arbitrazhi: Sky Petroleum Inc do ti paguajë 380 mijë Euro shtetit shqiptar
Tiranë- Kompania Sky Petroleum Inc duhet ti paguajë shtetit shqiptar 382,774.37 Euro, pasi humbjes së gjyqit në arbitrazhin ndërkombëtar.
Padia buroi pas zgjidhjes së njëanshme të kontratës nga ana e Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore, AKBN me pretendimin se pala tjetër nuk ka përmbushur disa prej detyrimeve kontraktore.
Palët kishin lidhur një Marrëveshje për Ndarje Prodhimi për Eksplorimin, Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në Shqipëri në Blloqet 4, 5 dhe Dumre (Kontrata) më datë 24 Qershor 2010, e miratuar nga Këshilli i Ministrave më datë 24 Nëntor 2010, dhe me datë efektive 17 Dhjetor 2010. Më datë 22 Korrik 2011, AKBN ka vendosur të zgjidhë Kontratën me arsyetimin se pala tjetër nuk ka përmbushur disa prej detyrimeve kontraktore dhe, në veçanti, ajo nuk ka nënshkruar dhe paraqitur një Garanci Bankare të vlefshme, brenda 90 ditëve nga Data Efektive. Duke mos qenë dakord me zgjidhjen e Kontratës, Sky Petroleum paraqiti një Njoftim Arbitrazhi në përputhje me nenin 21 të Kontratës,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas hetimit shteti shqiptar jo vetëm nuk i detyrohet asnjë dëmshpërblim shoqërisë Sky Petroleum, por ka të drejtën që ti rimbursohen të gjitha shpenzimet e procesit.
Tanimë Avokatura e Shtetit po merr masat për ekzekutimin e vendimit.