Argëtim e pishina, U-19 në delir
Paraditja e djeshme do t’i gjente futbollistët e Kombëtares U-19 më të përgjumur se zakonisht. Nata e së dielës ka qenë më e gjatë për ata futbollistë që u aktivizuan. Kur ora ishte 10:00, në hollin e hotel “Pavarësia” në Vlorë ndodhen të gjithë lojtarët. Portieri Strakosha, e me radhë Muskaj, Syku, Bilali, Ahmedi, Lundraxhiu, Shehaj, Hoxha, Magani etj. diskutonin ende për ndeshjen ndaj Belgjikës. Lojtarët ishin të shpërndarë në kolltukët e hollit të hotelit, duke lexuar mesazhet e urimit, që u kishin ardhur në celular dhe “Facebook”. Dje stafi teknik i Kombëtares ka shijuar një kafe jashtë hotelit, por me mendjen te ndeshja e sotme ndaj Bjellorusisë, e cila është vendimtare. Nëse lojtarët ishin ende në delir, Strakosha kishte ankth. Seanca stërvitore e Kombëtares U-19 ka pasur dje diçka të veçantë, pasi trajneri Strakosha kishte menduar që ta dërgonte ekipin në pishinë për t’u relaksuar. Lojtarët, për rreth 60 minuta u qetësuan në një nga pishinat e hotelit. Ndërkohë, në drekë skuadra zhvilloi stërvitjen e fundit në fushën me bar artificial të Pyllit të Sodës. Sot, në orën 14:30, do të luhet edhe ndeshja ndaj Bjellorusisë, teksa lojtarët njëzëri premtojnë fitore. “Do bëjmë gjithçka për të arritur kualifikimin. I falënderojmë tifozët për mbështetjen e madhe, jemi të bindur se do të fitojmë”, – deklarojnë kuqezinjtë e rinj për gazetën.
Strakosha: Prishëm aleancën italo-belge
Trajneri i Kombëtares U-19, Foto Strakosha, në një bisedë për “Panorama Sport” foli për suksesin ndaj Belgjikës, shpërthimin e lojtarëve, si dhe takimin e sotëm ndaj Bjellorusisë. “Fitorja ndaj Belgjikës ishte e detyrueshme. Natyrisht që kjo fitore na i shton më tepër shpresat për t’u kualifikuar, por, pa e ditur mirë, me këtë fitore kemi prishur një aleancë mes Italisë dhe Belgjikës. Në rast se të dyja këto ekipe do të kishin fituar dy ndeshje, atëherë ne do të dilnim jashtë loje”, ka thënë Strakosha.