Urdhri i trajnerit De Biazi: Nuk pranoj më gafa!

Xhani de Biazi
Tekniku i Kombëtares nuk e fsheh tensionin: Sllovenia është e rrezikshme.
“Do të bëjmë ndryshime, por mbrojtja të na japë garanci”
Xhani de Biazi është i tensionuar. Jo shumë, por aq sa për t’u dalluar se e ka vuajtur humbjen me Islandën, mbase edhe aq sa për të kuptuar se ekipi që ka nuk po i përgjigjet si duhet. “Nuk jam nga ata që gjejnë alibi për humbjet, por nuk jam as disfatist i lindur. Nuk më pëlqen pesimizmi i tepruar, por sigurisht që shumicën e golave që kemi pësuar mund t’i evitonim”, – ka thënë ai dje në konferencën për shtyp. Kjo e fundit, në fakt, u zhvillua në të njëjtën sallë ku po drekonin edhe një grup ushtarakësh italianë të forcave të NATO-s, që ishin akomoduar në rezidencën ku po qëndron edhe ekipi ynë kombëtar.
Mister, a do të ketë ndryshime kundër Sllovenisë?
Varet, edhe mundet. Më parë duhet të bëjmë seancën e fundit stërvitore dhe pastaj të vendosim. Do të përpiqemi që të hedhim në fushë ata lojtarë që na japin më shumë garanci. Kemi dy futbollistë që kanë probleme fizike, ndaj edhe nuk mund të flas më tepër mbi këtë argument.
E keni fjalën për Mehën dhe Bogdanin?
Po, pikërisht për ata. Kanë disa shqetësime, por mund t’ia dalin. Të shohim, këtë nuk e vendos unë, por stafi mjekësor.
Humbja me Islandën la një shije të keqe te shqiptarët, përfshi këtu edhe vetë futbollistët. Si është gjendja psikologjike?
Të gjithëve na la një shije të hidhur ajo humbje, ndaj edhe gjendja e skuadrës nuk është ndër më të mirat. Por, detyra jonë është që të ringrihemi dhe të bëjmë më të mirën.
Pesë gola të pësuar në tri ndeshje, Shqipëria e De Biazit është shumë larg stilit italian…
Po, e kuptoj ku doni të dilni. Nuk mbrohemi mirë, ose më saktë pësojmë shumë. Po, e vërtetë është. Deri tani kemi pësuar gola fare të evitueshëm dhe më vjen keq për këtë, sepse në ndeshjen kundër Islandës kjo na shkaktoi një goditje të madhe. Po punojmë të përmirësohemi sa të mundemi, por duhet kohë.
Ju kanë kritikuar se nuk e përgatitët si duhet ndeshjen me Islandën. Ju si mendoni?
Atëherë, po ju them një gjë, edhe po jua them shkoqur fare: Ndeshja me Islandën u përgatit në mënyrën më të mirë të mundshme. Dua të them se bëmë aq sa mundëm. E morëm seriozisht, nuk e nënvlerësuam për asnjë moment, madje nëse ju kujtohet, ju kam thënë disa herë në prag të asaj ndeshjeje se nuk duhet të flisnim fare për Slloveninë. Por problemi është se ju nuk i shihni ndeshjet e të tjerëve dhe shpeshherë ju, apo edhe ata që shpesh bëjnë sikur marrin vesh nga futbolli, nisni të kritikoni pas çdo humbjeje me të njëjtin ton. Unë jua pata thënë se kundër Islandës do të ishte e vështirë, sepse ata kanë një skuadër me lojtarë që luajnë në klube të mira europiane, janë shumë më mirë fizikisht dhe luajnë për një kohë të gjatë bashkë.
Pse gaboi arbitri?
Gaboi, sepse nuk akordoi një penallti të pastër për Edgar Çanin dhe më pas akordoi faullin ku u shënua goli i tyre i dytë, por gaboi edhe aty, sepse nuk ishte faull. Ua them këtë, se e kam parë tri herë ndeshjen në video. Dhe nëse dikush këtu nis të më bëjë pesimistin edhe ta trajtojë këtë si tragjedi, po ju them se të gjithë u mërzitëm nga ajo ndeshje.
Kundër Sllovenisë nuk kemi fituar asnjëherë, çfarë keni ndër mend të bëni për ta thyer këtë tabu?
Të shënojmë një gol më shumë se ata dhe të mos pësojmë gola… OK, dakord, po ju them se kjo do të jetë një ndeshje delikate, por ju siguroj se do të hyjmë në fushë për ta fituar atë. Rregulli numër një është që të shmangim gabimet që kemi bërë deri tani. Ndaj Sllovenisë duhet kujdes. Duhet një përqendrim i madh dhe guxim, sepse ata janë skuadër e rrezikshme.
Çfarë ju shqetëson më shumë te Sllovenia?
Është një skuadër solide, ka disa futbollistë të shpejtë dhe të zgjuar. Ne duhet të tregohemi të zotë në fushë dhe të mos bëjmë gabime. E përsëris, në ndeshje si këto duhet t’i shmangësh gabimet. Dua gjithashtu që skuadra të shfaqë të njëjtën grintë dhe dashuri që ka për fanellën, ashtu siç ka bërë në ndeshjet e deritanishme.
Stërvitja
Formacioni, tri ndryshime me Slloveninë
De Biazi, në seancën e fundit stërvitore ka praktikuar një mori skemash, si dhe ka studiuar së bashku me skuadrën kundërshtarin, duke parë ndeshjet e tyre. Goditjet standarde e trembin sërish teknikun, ndaj italiani u ka dhënë një rëndësi të veçantë. Tekniku nuk ka lejuar që ndihmësit e tij, përgatitësit atletikë, ta mbanin gjatë nën drejtim grupin dhe ka urdhëruar që ai të mblidhet rreth tij, për të marrë udhëzimet e fundit në fushën e lojës. Italiani e ndau në dy pjesë skuadrën dhe nisi menjëherë nga puna për të vënë në zbatim idetë e tij. De Biazi ka përgatitur një skuadër të re për përballjen e sotme me tri risi, ku sakrifikohen Dallku, Lika dhe Ujkani, respektivisht për Agollin, Roshin dhe portierin Berisha. Duket u nisur nga lojtarët që do të jenë në fushë dhe nga skemat që italiani ka përdorur pasditen e djeshme, duket qartë që De Biazi kërkon me çdo kusht ta fitojë këtë takim. Kështu formacioni mund të jetë: Berisha, Cana, Mavraj, Lila, Agolli, Meha, Kukeli, Bulku, Roshi, Sadiku dhe Çani.
Biletat
Për ndeshjen e sotme Shqipëri-Slloveni, që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”, ora 20:45, një biletë në tribunat kryesore A dhe B kushton 50 mijë lekë të vjetër. Sa i përket tribunës D2, çmimi është 10 mijë lekë, ndërsa në D1 dhe D3 nga 7 mijë lekë. Më të lira janë biletat në tribunat anësore, C dhe E, vetëm 2 mijë lekë. Interesimi nga tifozët duket i paktë.Bastet
Sllovenia shikohet si favorite për të fituar ndeshjen e nesërme në “Qemal Stafa”. Ky është vlerësimi që i bëjnë kompanitë e basteve ndeshjes Shqipëri-Slloveni. Një fitore e kuqezinjve është kuotuar me koeficientin 3.40. Ndërkohë, në kompani të ndryshme ka një tendencë në rritje të këtij koeficienti. Nga ana tjetër, barazimi është kuotuar në 3.30, kurse fitorja e sllovenëve 2.10.Rrezikojnë tetë lojtarë
Plot tetë lojtarë të Kombëtares shqiptare rrezikojnë pezullimin me një ndeshje, nëse marrin kartonë të verdhë sot ndaj Sllovenisë. Bëhet fjalë për Lorik Canën, Armando Sadikun, Alban Mehën, Erjon Bogdanin, Edgar Çanin, Mërgim Mavrajn, Burim Kukelin dhe Armend Dallkun, të cilët kanë nga një karton të verdhë, pasi janë ndëshkuar në ndeshjet e kaluara. Nëse ndonjë prej tyre ndëshkohet, atëherë do të mungojë me Norvegjinë, më 22.03.2013.
Nga Durrësi: Jetmir Halilaj