E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentina i kthehet kundër Presidentes së sapozgjedhur

Presidentja e parë grua e Argjentinës, Kristina Fernandez de Kirshner, po përpiqet me të gjitha mënyrat të ngrejë në këmbë popullaritetin e rënë ndjeshëm pas një greve rurale 70-ditore, e cila bëri që besimi që gëzon te zgjedhësit të cenohet në shifra shqetësuese.

Sipas rezultateve të publikuara javës së shkuar nga një institucion autoritar, vetëm një ndër katër argjentinas mendon sot pozitivisht për të. Deri para tre muajsh, 50 për qind e argjentinasve miratonin plotësisht zgjedhjet e bëra nga Presidentja. Fernandez, e cila e fitoi garën presidenciale në vend duke marrë 45 për qind të votave, gjendet në pozitë të vështirë tani si rezultat i një krize të rëndë të shkaktuar nga fermerët që kërcënojnë për bllokadë ushqimore dhe pakësimin e eksporteve të prodhimeve të ngrira.

Lobi i fuqishëm i industrisë ushqimore argjentinase hyri në grevë gjatë gjysmës së marsit pas vendosjes së disa taksave problematike mbi sojën, grurin dhe mbi disa produkte të tjera. Fernandez arriti të fitonte pak kohë pasi ra dakord me disa prej shoqatave të rëndësishme të kësaj industrie që të nisnin negociata të reja, por fermerët e zemëruar zhvilluan dje një demonstratë të madhe në qytetin portal të Rozarios.

Vetë Fernandez dje drejtonte një eveniment për nder të Ditës Kombëtare të Argjentinës. Por pas flamujve e banderolave festive me shumë gjasa nuk ka reshtur së pyeturi veten se ku shkuan keq gjërat. Ekonomia, pika më e ndjeshme e humorit të publikut, po mëkëmbet me më shumë se 6 për qind në vit falë rritjes së çmimeve të mallrave. Por vendi po sheh dhe një seri prirjesh negative, ekonomike dhe politike. Njëri prej tyre është inflacioni. Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria, çmimet rriten me 9 për qind në vit, por analistët nga sektori privat vërejnë se autoritetet po i zbukurojnë shifrat. Të dhëna nga subjekte të pavarura tregojnë se inflacioni mund të jetë tri herë më i lartë.

Fernandez po përpiqet ta zbusë situatën duke përcaktuar çmimet dhe duke pakësuar eksportet - e njëjta politikë e ndjekur nga i shoqi Nestor Kirshner, gjatë kohës që ishte në pushtet. E megjithatë, prirja e rritjes së çmimeve nuk jep shenja ngadalësimi.

"Edhe po të ekzistojë vullneti politik për të zgjidhur problemin e inflacionit, do duhen një apo dy vjet për ta arritur", thotë Alehandro Katerberg, drejtor i shoqërisë "Poliarquía", një subjekt i njohur në organizimin e sondazheve mbi popullsinë.

Rritja e çmimeve po ndodh në një klimë shqetësimesh për rritjen e pabarazisë dhe varfërisë në përgjithësi. Fernandez parapëlqen të citojë disa të dhëna qeveritare, sipas të cilave, numri i të varfërve është ulur - megjithëse shifra është e vogël në tetë milionë. Të dhëna nga kisha dhe subjekte të besueshme joqeveritare tregojnë se në të vërtetë 12 milionë argjentinas jetojnë në varfëri.

Edhe mënyra si e ka menaxhuar deri tani grevën e fermerëve ka vënë në pikëpyetje aftësitë qeverisëse të Presidentes. Në fillim të përplasjes kishte të gjitha mundësitë të merrej vesh me fermerët e të qetësonte gjakrat. Në vend të kësaj, ajo zgjodhi rrugën e ashpër, duke i quajtur fermerët "oligarkë" ruralë dhe duke i akuzuar se pa dijen e patriotizmit donin t‘i ndanin të ardhurat në mënyrë të pabarabartë.

Edhe kontrolli i saj në rangjet e pushtetit po të duket i brishtë. Para tri javësh, ministri i Ekonomisë, Martín Lousteau, dha dorëheqjen për shkak të taksave në fjalë, të cilat sipas tij qenë të gabuara. Ndërkaq, edhe shumë guvernatorë provincash, në dukje pro Presidentes Kirshner, dolën hapur nga radhët duke nisur bisedime individuale me lobin e fermerëve.

Edhe më i papranueshëm për argjentinasit është stili i jetës së Presidentes 55-vjeçare. Sondazhe publike e portretizojnë gjithnjë e më shumë kryetaren e shtetit sui arrogante, intolerante me zërat opozitarë, si edhe konfliktualë. Gjithsesi, me mazhorancën në Parlament dhe me një opozitë të dobët kundër, Fernandez ka aq armë politike sa i duhen për t‘i anashkaluar këto probleme, tregon Rikardo Rouvier, analist politik argjentinas. "Ndërkaq, ajo ndjek politikën e përcaktimit të menjëhershëm të grupeve të përbëra nga miq apo armiq".

Një problem tjetër të cilin nuk arrin ta shkundë nga supet është i shoqi, Nestor Kirshner, i cili ishte President deri në dhjetorin e vitit të shkuar dhe tani është kreu i Partisë Peroniste. Ish-numri një i shtetit njihet si njeriu që arriti ta nxjerrë vendin nga kriza më e zezë financiare që qe parë ndonjëherë (vitet 2001-2002) dhe gëzon mjaft popullaritet në vend, duke pasur pas vetes 50 për qind të argjentinasve edhe sot.

Gjithsesi, një sondazh i publikuar gjatë javës së shkuar tregoi se 3 në çdo dhjetë argjentinas mendojnë se është ish-numri një i shtetit ai që i merr vendimet në Pallatin Presidencial, deri përpara krizës rurale vetëm 1 në dhjetë argjentinas e mendonte kështu.

Edhe gjendja financiare e ekonomisë e vendos Presidenten në një pozitë shumë të ndryshme nga ajo e bashkëshortit, i cili i mori në dorë frerët e vendit në një çast kur Argjentina gjendej e mbytur nga borxhet, ndërkohë që e shoqja fle mbi një rezervë federale prej më shumë se 50 miliardë dollarësh.

Sipas analistes politike, Graciela Romer Teksa, inflacioni ngrihet, konsumatorët argjentinas po ndiejnë mbi shpinë mospërputhjen mes ekonomisë në bum të fortë dhe zvogëlimit të fuqisë blerëse nga ana e tyre.

Ajo sqaron se nga ana tjetër, argjentinasit, me zgjedhjen e Presidentes së parë femër, prisnin një kryetare shteti më të ndjeshme, më tolerante dhe që të ndiqte një politikë më pajtuese. "Këto nuk janë asnjë nga karakteristikat që po tregon Kristina", vazhdoi analistja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›