E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes Mefistofelit dhe Frankeshtajnit

Doktor Faust është plakur; doktor
Faust është nostalgjik. Nostalgjia
është privilegj i plakjes: shpresat
e rinisë vlejnë për të nesërmen, sepse doktor
Faust është në kërkim të asaj që ka
humbur ose në kërkim të asaj që kujton se
ka humbur, në rininë e tij të largët, pikërisht
si Kristofor Marlou në vitin 1604, ose si
Gëte gati dy shekuj më pas. Faust do të
sigurojë dijen dhe dashurinë, atë të cilën
asistenti i tij Uagner e quan "iluminim"
dhe për të cilën Faust thotë: "Ja fati im më
i bukur teksa perëndon!", fjalë të cilat Gëte
ja ka huazuar. Për një iluminim të tillë,
shkenca njerëzore i duket e pakët dhe
kështu kërkon ndihmë te magjia. Dhe
kështu, siç e dimë, shfaqet Mefistofeli.
Mefistofeli (në versionin e Gëtes) përshkruhet
si një i humbur: dikush që do të
bëjë keq edhe pse faktikisht bënte vetëm
të mira. Do të jetë totalisht i keq, por diçka
nuk e lejon dhe bëmat e tij "të këqija" nuk
arrijnë rezultatet e parashikuara më parë.
Kjo është një nga anët e shumta të demonit:
ne, po ashtu edhe Faustit, na duket
sikur e keqja na fiton gati përherë, sikur
do të përforcojë vuajtjet e vogla dhe të
mëdha të jetës tonë, horroret dhe mizerjen
e historisë tonë. Por për demonin (që
duhet të dijë nga këto gjëra) nuk është
kështu. Pa llogaritur vuajtjen njerëzore,
duket se e mira, në fund të fundit, triumfon
gjithmonë. Mefistofeli beson, si Korin
Telado, se ka gjithmonë një fund të bukur,
dhe çuditërisht shpesh herë ka të drejtë.
Nëse është e vërtetë se në Faustin e
Marlou flakët e ferrit e gllabërojnë doktorin
ambicioz (i cili premton se nëse në fund
do të shpëtojë, do të djegë të gjithë librat
e tij), në Faustin e parë të Gëtes, e para që
do të shpëtojë është Margarita, gruaja që
Fausti e korruptoi, dhe në të dytën shpëton
doktori. Ndoshta do të jenë këto tentativa
të dështuara që kontribuuan në
reputacionin e keq të Mefistofelit në ditët
e sotme. "Nga hero në gjeneral, nga gjeneral
në njeri të politikës, nga politikan në
agjent të shërbimit sekret dhe nga aty në
një njeri i cili përgjon nga dritarja e dhomës
së gjumit ose e banjës, dhe nga ai lloj njeriu
në një thithëlopë dhe pastaj në një gjarpër:
kjo është karriera e demonit", ka shkruar
C. S. Leuis.
Por doktor Faust këmbëngul. Dhe
kështu donte edhe Tomas Man, i cili me
pseudonimin Adrian Leverkuhn bëri që
Faust të pranonte paktin e tmerrshëm.
Ndërmjet poetit të dështuar, Enok Soames,
Maks Berbohm propozoi një version britanik
për këtë tragjedi; në kulmin e diktaturës
staliniste, Mikail Bulgakov ëndërroi
një version rus.. Historia e Doktor Faust u
botua për herë të parë në Gjermani në vitin
1587. Pas saj vazhduan të shtypeshin versione
të tjera të shumta, një prej të cilave
ishte një shfaqe me marioneta, ku Gëte
mori pjesë në moshë fare të vogël.
Shekuj më parë, kur shkëmbimi i shpirtit
konsiderohej si një akt i frikshëm, për
Mefistofelin gjërat ishin relativisht të
thjeshta. Sot që shpirti ka më pak prestigj
dhe që rëndom shpirtrat ofrohen në shkëmbim
të shumë pak gjërave, si për
shembull kundrejt një vile në një ishull,
apo një pune në një ministri, detyra e
Mefistofelit është, në mënyrë paradokse,
më e vështirë. Të humbasësh shpirtin ose
ta shkëmbesh për pak gjë, e zhvlerëson
qenien totalisht dhe Mefistofeli (i cili është
edhe bankier) aspiron të bëhet i pasur.
Për këtë arsye, Fausi i sotëm nuk aspiron
as për dituri dhe as për dashuri, por për
famë, për suksesin popullor dhe për para.
Dhe këtu Mefistofeli gjendet aty ku dëshiron
të jetë. Do të bëhesh një shkrimtar
popullor? Pyet Faustin. A do të shohësh
miliona kopje të librit tënd? Punë e mbaruar:
do të ketë pirgje me librat e tu në librari,
biblioteka dhe qendra tregtare; do të
jesh në krye të librave më të shitur ndërkombëtarë;
do të blejnë të drejtat e librit
tënd për të bërë një film me protagonist
Tom Kruis; do të udhëtosh në "business
class" dhe do të transferohesh në Irlandë
për mos të paguar taksa. Dhe për të pasur
të gjitha këto nuk do të duhet të humbasësh
gati asgjë, veç cilësisë artistike,
stilit, gramatikës, krijimtarisë, përgjegjshmërisë
morale, pozicionit etik, mirënjohjes
së lexuesve të ardhshëm, respektit
për njerëzit që të rrethojnë.
Tradita pitagorike do që çdo krijesë të
ketë si sot, po ashtu në të ardhme, diçka
të një krijese tjetër. Në një hark kohor të
caktuar, çdo njeri do të jetë Sokrati, Napoleoni,
do të jetë një fytyrë anonime e
kujtdo. Askush nuk mund ta mishërojë
më mirë atë ideal antik grek të krijesës së
lindur në një natë nëntori në fund të
shekullit të tetëmbëdhjetë në qytetin
Ingolstad, në Gjermani. Nuk ka emër.
Lind i rritur dhe i përbërë nga një shumëllojshmëri
organesh me origjina të ndryshme,
të zgjedhura për nga proporcionet
e tyre atletike dhe për nga bukuria e tyre
klasike. Dhe rezultati, siç pohon krijuesi
i tij, nuk është ai i dëshiruari: duke i dhënë
jetë bashkimit të shumë pjesëve njerëzore,
nuk arrin perfeksionin e çdo pjese
të veçantë. "Lëkura e tij e verdhë mezi
mbulonte muskujt dhe venat e tij; flokët
i kishte në një të zezë të shndritshme dhe
dhëmbët të bardhë si bora; por këto karakteristika
të veçanta nuk bënin më
shumë veçse të krijonin një kontrast të
shëmtuar me sytë e tij të errët dhe buzët
e drejta dhe të zeza". Më shumë se një
shekull pasi Meri Shellei e përshkroi këtë
përbindësh në mënyrë të frikshme, Hollivudi
i censuroi ose i ekzagjeroi falë dorës
së magjishme të trukuesit Çarli Pirs, duke
punuar në fytyrën e madhe të
përbindëshit.
Përbindëshi i krijuar nga Dr. Viktor
Frankenshtain është (askush nuk e mohon
madje as krijuesi i tij) tepër i shëmtuar.
Ta shohësh, të tmerron dhe përballë
tmerrit që krijon, Përbindëshi sulmon
ose mbrohet. Nuk di të bëjë gjë tjetër.
Mund të jetojë edhe me qeniet njerëzore,
por me kushtin që të mos e shikojnë.
Mund të mësojë se si jetojnë njerëzit,
sepse plaku që e mban është i verbër;
mund të mësojë të gjithë historinë universale
nga "Rrënojat e perandorisë" të
Volneit, sepse zvicerani i ri që lexon me zë
të lartë këtë vepër të pafundme nuk e di
se përbindëshi ndodhet aty, i fshehur
pranë dritares së tij. Por kur të tjerët e
zbulojnë, e ndjekin për ta vrarë, pa kuptuar
më parë nëse është i mirë apo i keq.
Përbindëshi është tipi i viktimës si: i
pafajshëm dhe i shpifur, i provokuar deri
sa e detyronin të bëhej i dhunshëm. Dhe
si të gjitha viktimat e tjera, ai do të dijë
përse është aq i urryer. Nuk ishte ai i
përgjegjshmi për krijimin dhe prezencën
e tij në këtë botë, siç thotë edhe një nga
epigrafet marrë nga "Parajsa e humbur"
e Milton: "Mos të kërkova unë o Krijues,
që nga argjili të më bëje njeri, të kërkova
unë nga errësira që të më jepje jetë"?
Fryt i ambicies së një tjetri,
Përbindëshi ndan fatin e tij të hidhur me
atë të Adamit dhe kështu, me atë të të
gjithëve ne. Gjithsesi, veç vuajtjeve të tij,
ai nuk donte të vdiste. "Jeta, i thotë krijuesi
i tij, edhe pse është një grumbull
mundimesh, është diçka e vyer". Dhe
shton për të shpjeguar sjelljen e tij: "Unë
isha i mirë dhe bujar; mizerja më ka transformuar
në një demon. Më bëj të lumtur
dhe përsëri do të jem i frytshëm". Dhe
kështu i propozon Dr. Frankenshtainit
një pakt: nëse i krijon një shoqe me përmasat
e tij, që të dy ata do të zhduken
përgjithmonë në pyjet e egra të Amerikës
Jugore. I gjori Përbindësh, cilin nga këto
vende do të kishte zgjedhur për të bërë
një jetë të lumtur? Paraguain e Strosner?
Kilin e Pinoçet? Apo Argjentinën e
Videlas? I gjori Përbindësh.
Edhe pas mundimeve të Hollivudit
dhe regjisorit Xheims Ueill, të cilët propozuan
Elsa Lançester si shoqen ideale
të përbindëshit, në versionin e Shellei
doktori e refuzon propozimin dhe pas një
ndjekjeje të lodhshme në Evropën veriore,
Përbindëshi përfundon i humbur
pranë Polit të Veriut, në skajet e Kanadasë
veriore. Edhe pse Shellei nuk e përmend,
ky destinacion i fundit përshtatet përsosmërish
me dëshirat e Përbindëshit
pasi Kanadaja, në gjeografinë
imagjinare të botës, është një fletë e
bardhë në të cilën mund të shkruhen
ëndrrat e bukura dhe të këqija të njerëzimit.
Apostulli Giakomo, në veprën e tij
"Epistola Universale", krahason ata që
dëgjojnë vetëm urdhrin hyjnor, pa qenë
zbatuesit e tij, me njeriun i cili shikon për
një moment në pasqyrë fytyrën e tij, atë
që i është falur që nga lindja e tij, por më
pas i rikthehet jetës së tij të përditshme,
duke harruar se si ishte bërë. "Sepse ai
ka parë vetveten, u largua dhe harroi se
si ishte bërë". I bërë nga shumë njerëz,
Përbindëshi i Dr. Frankenshtainit është,
të paktën pjesërisht, pasqyrimi ynë, pasqyrimi
i asaj që nuk duam ose i asaj që
nuk kemi kurajën të kujtojmë. Ndoshta
prej kësaj është i frikshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›