E Diel, 1 Nëntor 2026

Argjentinë/ Regjistrohen 35 raste vdekjeje brenda një jave nga H1N1

Tridhjetë e pesë persona kanë gjetur vdekjen nga gripi i derrave brenda një jave në Argjentinë, duke e çuar numrin e viktimave nga virusi A (H1N1) në 439 në këtë vend të Amerikës Latine, i dyti më tepër i prekur në botë pas Shteteve të Bashkuara, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë. "Numri 439 që tregon rastet e vdekjeve lidhur me pandeminë e gripit është konfirmuar", bëri të ditur ministria në një raport, ku mësohet gjithashtu se janë regjistruar 7 173 të prekur nga virusi A (H1N1) në 20 distrikte (nga 24) që prej 17 majit, data e shfaqjes së sëmundjes në vend.
Qendra amerikane e kontrollit dhe e parandalimit të sëmundjeve (CDC) përmendi 477 raste vdekjeje lidhur me virusin e gripit të derrave në Shtetet e Bashkuara. Sipas vlerësimeve të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të publikuara të mërkurën, virusi A (H1N1) ka shkaktuar vdekjen e 1 799 personave në botë, shumica në kontinentin amerikan që prej shfaqjes së tij në fund të marsit.
Dje, drejtoresha e OBSH-së Margaret Chan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të përgatitet për një valë të dytë të përhapjes së mundshme të gripit të derrave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›