Arian Beqaj: Tifozëve grekë, krenar që jam shqiptar

Bledar Kuka- Portieri i Anortosisit dhe i kombëtares shqiptare, Arian Beqaj, tregon dhimbjen që ka ndjerë në shpirt kur skuadra e tij luajti në "Karaiskaqi" ndaj Olimpiakosit. Në një intervistë për mediat greke, Beqaj tregon se tifozët e Olimpiakosit e ofenduan për faktin se ishte shqiptar, ndërsa shtuan edhe sharjet e zakonshme ndaj skuadrës kundërshtare të Famagustës që në fund e eliminoi skuadrën e tyre të zemrës nga Liga e Kampionëve.
"Unë jam krenar që jam shqiptar, - tha Beqaj, - unë jam mësuar me sharje, por këto janë si goditje poshtë brezit (në boks). Sidoqoftë, aq sa jam krenar për origjinën time, aq edhe respektoj Greqinë ku kam kaluar gati gjysmën e jetës". Ariani tregon se ai është martuar me një vajzë greke, me të cilën ka dy fëmijë.
"Nuk lejoj njeri, sidoqoftë, që të më përgojojë origjinën time, - vazhdoi kosovari, - unë di gjithashtu se të poshtrit nuk kanë kombësi, por i përkasin vetëm racizmit". Duke folur për ndeshjen ndaj Panathinaikosit, që do të luhet sot në Qipro, Beqaj pohon edhe një herë se "Panathinaikosit i takon të jetë favorit dhe se ndeshja do të jetë e vështirë".