E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skolls bën me dhembje koke Fergusonin

Pol Skolls do të jetë jashtë fushave për të paktën dhjetë javë pas dëmtimit në fitoren 3-0 të Mancesterit kundër Alborgut në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampioneve. Bosi i Junaitid, Sër Aleks Ferguson, vlerësoi se do të jetë pas mefushorin për gjashtë deri në tetë javë, por stafi mjekësor i klubit anglez konfirmoi se lojtari i Junaitid do të mungojë më shumë javë, duke i sjellë Fergusonit një dhimbje koke. Mancesterit i mungon edhe Majkëll Kerrik, i cili nuk do të kthehet për të paktën edhe një muaj tjetër pas thyerjes së një kocke në këmbën e tij në humbjen 2-1 me Liverpulin, më 13 shtator. Edhe Rui është në dyshim për ndeshjen kundër Bllekbërnin, të programuar për ditën e shtunë.

Venger: "Fituam në mënyrë bindëse"

Arsen Venger pret që Arsenali i tij ta përdorë fitoren 4-0 kundër Portos si një trampolinë për t'u kualifikuar në fazën me elimimin direkt në Ligën e Kampioneve si fitues grupi. Formacioni i Vengerit ndodhet në majë të Grupit G falë katër golave të shënuar nga Robin van Persi e Emanuel Adebajor, nga dy secili. "Po, ne parashikojmë të fitojmë grupin", -tha Venger. "Ekipi është pjekur, ka shumë potencial në këtë formacion. Ne dëshirojmë të jemi inteligjentë. Në fund ju masni sesa të suksesshëm kemi qenë të gjithë së bashku. Kjo është përgjigja që unë dëshiroja. Ne mund të kishim shënuar më shumë gola, por më e rëndësishme ishte të fitonim dhe ta bënim atë në mënyrë bindëse. Kjo është ajo që ne bëmë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›